Natën e së shtunës, më 26 maj 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zgjodhi xhaminë e Rusit për të kryer faljen e namazit të teravisë.
Në mesazhin e tij para besimtarëve të pranishëm, Myftiu theksoi se është shumë e rëndësishme që Muaji Ramazan mos të na kalojë thjeshtë si një periudhë kohore, ku ndryshojmë rregullin e ushqimit!
“Ka shumë rëndësi ta pyesim veten, tashmë që kaloi një e treta e Ramazanit të sivjetshëm, nëse ka ndryshur diçka brenda vetes sonë, apo jemi njësoj si para fillimit të Ramazanit? Ky Muaj vjen si një mundësi ndryshimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës sonë mbi tokë, duke përmirësuar sjelljen tonë me Zotin, me veten, me familjen, me shoqërinë dhe me vetë jetën!”, tha ndër të tjera Myftiu.
Ai nxiti frenimin nga përgojimi, thashethemet dhe humbja e kohës, sikurse tha se: “Në librat e Hadithit, gjejmë një fjalë shumë të madhe dhe të frikshme njëkohësisht nga i Dërguari i All-llahut (a.s.), i cili i pyeti një ditë sahabët nëse e dinin se kush është i falimentuari? Pastaj u shpjegoi atyre se i falimentuar në ditën e gjykimit është ai që vjen me namaz, agjërim e adhurime, por njëkohësisht ka sharë atë e ka fyer këtë, ka goditur njërin e i ka bërë padrejtësi tjetrit. Pastaj do t’i merren sevapet e tij dhe do t’i jepen të lënduarve, sikurse do të merren gjynahet e tyre e do t’i ngarkohen atij, derisa të ndëshkohet!”
Myftiu kërkoi prej besimtarëve që të luten për hallet e vendit tonë, që sot në vitin 2018, nuk meriton të jetë në këtë gjendje, ku ka degraduar!
Ai falënderoi edhe imamin e kësaj xhamie, të nderuarin H. Fejzi Zaganjori, për angazhimet e tij në shërbim të komunitetit.