Paraditën e së dielës, më 27 maj 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B.Sytari, priti në një takim të përzemërt konsullin e ambasadës së Kuvajtit në vendin tonë, z. Jaser El-Bedr.
Me rastin e kësaj vizite, z. El-Bedr uroi Myftiun për Muajin e agjërimit, ku theksoi se Ramazani është mundësia më e mirë për t’u takuar e afruar më shumë, duke dëshmuar vlerat e besimit, solidaritetit dhe humanizmit.
Ai e lajmëroi Myftiun se me rastin e kësaj vizite, ambasada e Shtetit të Kuvajtit, do të dorëzojë një sasi të konsiderueshme me pako ushqimore për njerëz në nevojë, si një traditë e përvitshme e bujarisë kuvajtiane në mbarë botën.
Nga ana e tij, Myftiu e falënderoi konsullin kuvajtian për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për kontributet e shumta që Shteti i Kuvajtit ka dhënë për vendin tonë.
Njëkohësisht falënderoi qëndrimet fisnike të Emirit të Kuvajtit në realitetet nëpër të cilat kalon bota arabe dhe ymeti islam, ku theksoi se historia do të rregjistrojë këto përpjekje në rrugën e bashkimit të muslimanëve dhe forcimit të këtij uniteti për të mirën e mbarë njerëzimit.
Më pas, u shpërnda një pjesë e kontigjentit të ndihmave për besimtarë dhe njerëz në nevojë.
Myftinia Shkodër shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e saj për Shtetin e Kuvajtit dhe ambasadën e tij në Tiranë, për kontributet e vazhdueshme në shërbim të komunitetit dhe njerëzve në nevojë.