Mbrëmjen e së hënës, më 28 maj 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari vizitoi xhematin e xhamisë së Plumbit, me të cilët fali bashkarisht edhe namazin e teravisë.
Në një këshillë fetare pas namazit, Myftiu foli për vdekjen dhe përkujtimin e shpeshtë të saj. Ai tha se muslimani nuk ka komplekse nga përmendja e vdekjes, përkundrazi, ai e di shumë mirë se ajo është pjesë e marrëdhënies së natyrshme që njeriu ka me këtë jetë kalimtare.
“Hz. Muhammedi (a.s.) na porosit që ta përkujtojmë sa më shpesh vdekjen, që në vetvete na udhëzon vëmendjen tonë drejt një të vërtete të madhe, që s’e mohojmë dot.
Të gjithë do largohemi një ditë nga kjo botë, e cila nuk është krijuar për të qenë e përjetshme. Sa e sa prej të dashurve tanë nuk janë sot me ne, një ditë edhe ne do largohemi.
Prandaj, është e udhës që në këto ditë e netë të adhurimit e lutjes, agjërimit e pendimit, t’ia kujtojmë vetes se, nuk jemi të përhershëm këtu ku jemi; të kemi kujdes kohën, marrëdhëniet me njerëzit, me vetë kohën!”, tha ndër të tjera Myftiu.
Ai e shoqëroi këshillën e tij edhe me ajete kur’anore dhe rrëfime nga koha e të dërguarve të ndryshëm, që mbeten yje udhëzimi deri në kiamet.