Paraditën e së martës, më 17 maj 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka folur për mikrofonin e Zërit të Amerikës, në lidhje me problematikën e Xhamisë së Plumbit.
Myftiu ka thënë se përmbytja e Xhamisë, dy ditë më parë, ishte e frikshme dhe na ktheu pas në kohë, në ditët e përmbytjeve të mëdha të zonës së Tabakut.
“Jemi të shqetësuar edhe për mosinteresimin e institucioneve shtetërore për gjendjen e kësaj xhamie, monument kulture i klasit të parë. Por, edhe për faktin se kjo xhami mbetet një simbolikë e shenjtë dhe e shtrenjtë për muslimanët shqiptarë, pasi ajo na kujton ditën historike të 16 nëntorit 1990, kur u organizua edhe falja e madhe e xhumasë masive, pas 23 viteve të ndalimit me ligj të fesë në vendin tonë” – tha Myftiu.
Ai foli edhe për rrezikun e laicizmit selektiv në vendin tonë, ku qeveria dhe institucionet shtetërore, po i trajtojnë në mënyrë jo të drejtë bashkësitë fetare, institucionet dhe të drejtat e tyre legjitime.
Më parë, Myftiu foli edhe për mikrofonin e tvsh, ku ngriti shqetësimin e tij për gjendjen e krijuar te Xhamia e Plumbit, pas përmbytjes së dy ditëve më parë.
Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Ndër veprat e shumta të ndërtuara në Shkodër nga trashëgimtarët e familjes së Bushatllinjve, është dhe Xhamia e Plumbit, e cila njeh si vit të ndërtimit të saj vitin 1773.