Mbrëmja që kaloi, ishte ndër më të bukurat dhe më të veçantat e mbrëmjeve, që ia vlen të përmenden e të kujtohen për mirë.
Fillimisht, ishte Nata e Begatë e Gjysmës së Muajit Shaban, një natë e shënuar për mirësitë dhe bekimet hyjnore që zbresin për besimtarët dhe rrugëtuesit drejt Dashnisë së pastër të Krijuesit të tanësisë.
Ndërkohë, me këtë rast, Qendra Kulturore Islame Winterthur, kishte organizuar një manifestim të mrekullueshëm, me një program të pasur, plot emocione besimi e ndjenjash të forta kombëtare e njerëzore.
Ishte një mbrëmje, ku u ndërthurrën elementët e besimit me transparencën shpirtërore, melodinë e zërave të ëmbël me Kur’an e ilahi, tekbiret dhe salavatet e fëmijëve të xhamisë së Winterthurit, recitimet dhe përshëndetjet, namazi, takimet e urimet në mesin e atyre qindra të pranishëmve shqiptarë, të ardhur nga qytete të ndryshme të Zvicrës, por edhe nga Gjermania.
Organizimi i kësaj mbrëmjeje besimi më bëri të mendoj e të ndjej një kënaqësi të madhe, që zakonisht përftohet gjatë mexhliseve të dhikrit e lutjes, në vizitat e njerëzve të dijes e vendeve të shenjta të adhurimit…
Salla e tubimit ngjante me një çadër të madhe Arefati, ku të pranishmit ishin përqendruar për të marrë mirësi e paqe, në qetësinë e shpirtrave të tyre, në atmosferën e një vëllazërie të pastër islame, që vetëm se të lartëson e të paqton përherë e më shumë me krejt ambientin përreth, me veten e me tjetrin…
Për mua, ishte një kënaqësi dhe nder të flisja nga pozita e Myftiut të Shkodrës, nga foltorja e instaluar para pjesëmarrësve të shumtë, në dy katet e sallës së këtij tubimi.
Ligjërimet mbi paqen dhe tolerancën e Islamit dhe muslimanëve, po bëhen përherë e më shumë një shtysë, që bota të kuptojë se rrugëtimet e gabuara në qorrsokakët e propagandës islamofobe, sidomos në perëndim dhe në vendin tonë, janë dështim i madh për prodhuesit realë të së keqes në këtë botë.
E përmenda edhe në fjalën time, se: “Ne si muslimanë, bartës të amaneteve të Paqes dhe vlerave të harmonisë ndërnjerëzore, ia kemi për borxh sot, All-llahut të Madhëruar, fesë tonë, mësimeve të saj, Kur’anit, Hz. Muhammedit (a.s), sahabëve e prijësve tanë shekullorë, ta prezantojmë modelin e vlerave tona, me komunikimin elitar dhe paqësor me cilindo prej krijesave të All-llahut, duke e konsideruar vëlla në humanizëm dhe duke dashur për të atë që duam për veten tonë!
Ne bartim vlera, bartim dashninë dhe frikën e All-llahut me vete, jemi të ftuar të punojmë me vlerat e dijes së pastër, jemi të thirrur ta shfrytëzojmë kohën, të bashkëpunojmë thellë në mes vete për forcimin e këtij bekimi që ne bartim në vetvete, si më të shtrenjtin amanet, që i është dhënë racës njerëzore nga Zoti i saj!”
Tubimi i kësaj Nate të Madhe, ishte rrezatues i asaj çfarë realisht jemi ne, besimtarët, muslimanët, shqiptarët besnikë të Islamit shekullor, fesë së baballarëve e gjyshërve të hershëm…
Imam Muhamed B. Sytari
Winterthur, 22 maj 2016