Nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, foli sot, të xhumanë, më 1 qershor 2018, rreth domosdoshmërisë së qëndrueshmërisë në besim dhe lidhjes përherë e më shumë me fenë duke u distancuar plotësisht nga ndikimi negativ që kanë fushatat e organizuara kundër Islamit dhe vlerave të tij, sot në vendin tonë.
Myftiu tha se, përtej faktit se e xhumaja e sotme mund të përqendrohej tek beteja historike e Bedrit; mësimet dhe mesazhet e saj, porse realitetet e sotme dëshmojnë një distancë shumë të madhe në mes gjendjes së ymetit islam dhe shpirtit të betejave të Resulull-llahut (a.s.)!
Myftiu tha se muslimani i sotëm shqiptar ka nevojë të fitojë betejën e tij me veten, me familjen e rrethin shoqëror, duke u rrënjosur zemra e tij në Islam dhe duke e dëshmuar fenë e tij me plot krenari legjitime, kudo e me këdo!
Në hytben e tij, iu referua një këshille fetare të mbajtur nga sahabiu Abdull-llah ibn Mes’ud (r.a), kur në prani të Resulull-llahut (a.s.) tha: “O ju njerëz, All-llahu i Madhëruar është Zoti ynë, Islami është feja e jonë, Kur’ani është prijësi ynë, Shtëpia (Qabeja) është kibla e jonë dhe ky është profeti ynë – dhe bëri me shenjë nga profeti (a.s) –! Kemi pëlqyer atë që ka pëlqyer All-llahu i Madhëruar për ne dhe i dërguari i Tij, sikurse kemi refuzuar atë që ka refuzuar All-llahu i Madhëruar për ne dhe i dërguari i Tij!”.
Myftiu bëri thirrje që shoqëria të mos ndikohet nga propaganda e djallëzuar e disa mediave që thërrasin për të mos agjëruar, sikurse e konsideroi si të papranueshëm faktin që në disa shkolla të vendit, mësuesit nxisin fëmijët për të mos mbajtur agjërimin.
Në fund të hytbes, Myftiu foli edhe për regjistrimet e Haxhit të sivjetshëm dhe lajmëroi besimtarët për mënyrën e udhëzimit rreth kësaj teme.