I nderuar Shkëlqesia e Juaj, z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar autoritete civile dhe fetare të Shkodrës,
Të nderuar myftilerë të trojeve tona kombëtare, nga Kosova dhe Mali i Zi,
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni t’ju uroj me zemër për praninë tuaj në këtë sofër bujare të iftarit, në këtë Muaj të Begatë të Ramazanit, ku të gjithë së bashku, në një mënyrë a një tjetër, jemi të ftuar të drejtohemi nga Krijuesi ynë, për të marrë mirësi e bekim, si një mbështetje e domosdoshme në rrugëtimet tona drejt dëshmimit të vlerave më të mira të besimit të zemrave, paqes sociale dhe harmonisë kombëtare, kudo dhe me këdo, si mëkëmbës besnikë të Zotit mbi tokë!
Muaji Ramazan është Muaj i rimëkëmbjes shpirtërore dhe i vendosjes së ekuilibrave të shëndoshë në marrëdhënien tonë me Zotin dhe me krijesat e Tij. Është Muaj i identitetit të vërtetë të shpirtit dhe zemrës, udhëzues drejt ndërtimit të vlerave dhe pastrimit nga sprovat, që mbushin realitetet e shoqërisë me papastërtitë mbytëse të femohimit, imoralitetit, korrupsionit, gënjeshtrës, përmbysjes së njësive matëse të së mirës dhe të keqes në jetë, përhapjes së fenomeneve denigruese të shpirtit të lartë kombëtar, që mësyjnë plot meskinitet familjen dhe vlerat e saj, që tundojnë rininë drejt drogës e bixhozit, alkoolit e shthurjes, që në vetvete janë të barasvlershme me rrënimin e trashëgimisë së të parëve dhe dështimin e garantuar në të ardhmen e kombit dhe atdheut.
Sprovat e sotme në realitetet shqiptare dhe ato globale, po na shtyjnë dita-ditës drejt një zgjimi të pandalshëm dhe një rimëkëmbjeje të shpirtit të besimit dhe të vetëdijes kombëtare e fetare, që në vetvete, më jehojnë si fjalët e hershme të Hafiz Ali Korçës, kur në vitin e largët 1925 shkruante:
“Marrim nji letër prej nji miku. Për mos me e turbullue emnin e tij, s’po e shënojmë. Ç’ke me pa atje, s’mbante as dyzet rreshta, por katër orë u mundova gjersa qita nji kuptim të çalë. Përse vallë? Mos qeshni! Në letër, në njëzet fjalë, një e gjeta shqip, të tjerat, frëngjishte, latinishte, anglishte, gjermanishte, greqishte edhe slavishte ndodheshin.
Mos më pyetni ç’kam heq!… Qesha. Përse?
Tu e mentu popullin tonë si në çdo punë ashtu edhe në shkrimt po ndjek një gjurmë të verbët, po ban nj’imitation (taklid) dmth, rreh të bajë si ç’bajnë të tjerët verbërisht, qesha dhe thashë vetë me vehte: o i mjeri njeri sa i çuditshim je, përse nuk po të pëlqen mëma e jote e bukur, por të pëlqejnë shtrigat dhe i vëndos në vënt të nanës tënde dhe i përkëdhel?!”[1]
E, natyrshëm, forca e vullnetit për të agjëruar një Muaj të tërë, me besim dhe bindje tek shpërblimi dhe bekimet e Zotit të gjithësisë, nuk kanë sesi të mos zgjojnë tek muslimanët shqiptarë dhe mbarë njerëzit vullnetmirë të këtij kombi e të kësaj toke, atë shpirt fisnik, të cilin, poeti i madh shqiptar, Mehmet Akif Ersoj e ngacmonte me vargjet e tij:
“Pa shih me qafë përkulur kush po qan?
E drejta për të jetuar, e jotja, o musliman!
Shpëtoje atë të pashpresë për hir të Zotit,
Nga gjumërat e vdekjes zgjohu, pra!”[2]
I nderuar z. President,
Të nderuar të pranishëm,
Tashmë jemi në Ramazan, agjërojmë dhe lutemi pa ndrojtje dhe pa frikë, përtej propagandave të shfrenuara e të pakontrolluara islamofobe, që jo pak herë bëjnë të vetën edhe tek ne, si në krejt Evropën, ku aspirojmë të integrohemi, por edhe përtej saj.
Në vitin 1961, Kryemyftiu i shquar sirian, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), udhëzonte se vërtetësia e festimit me rastin e Ramazanit, “është të punojmë bashkërisht, baballarë dhe nëna, pedagogë dhe mësues, gazetarë dhe dijetarë, udhëheqës e masa të gjera, për pastrimin e shoqërisë tonë nga prezenca e helmeve, që u përhapën në mendje dhe shpirtra, duke prishur tek disa prej nesh edukatën dhe veprat, si dhe duke dobësuar lidhjet shoqërore në mesin e shumë prej njerëzve!”[3]
Le të lutemi bashkarisht, që All-llahu i Plotfuqishëm ta begatojë popullin shqiptar, ta udhëzojë atë drejt besimit dhe ruajtjes me dinjitet të tabanit të shëndoshë kombëtar, vlerave të familjes, moralit dhe dijes, në rrugën e dëshmimit të modeleve më të mira të harmonisë komunitare dhe bashkëjetesës në emër të Zotit, respektimit të jetës dhe lartësimit në shkallët më të larta të dijes dhe përparimit!
All-llahu ju begatoftë dhe ju dashtë! Faleminderit!
[1] Hafiz Ali Korça, “Me qa a me qesh?”, revista “Zani i Naltë”, nr. 3, Tiranë, maj 1925, vit’ i II, f. 466-470. (Nga kolana “Zani i Naltë”, vëllimi i parë: 1923-1924-1925, botimet KMSH, Tiranë, 2014). (Me përshtatje të lehtë. M.S.)
[2] Mehmet Akif Ersoj, “Fletët”, Shkup, LOGOS-A, 2006, f. 363.
[3] Shejkh Ahmed Keftaro, “Min hedjil-Kur’an”, Damask, pa vit botimi, f. 214. (Tema me titull: “Lindja e të Dërguarit”, me shënimin: “Ligjëratë e mbajtur më 23/8/1961 – 12/ Rebiulevvel/1381”).