Dita e 20-të e Ramazanit 1439, e hëna e 4 qershorit 2018, mblodhi së bashku në iftarin e harmonisë kombëtare, intelektualë, artistë, drejtues të shoqatave islame, këshilltarë të Myftinisë, drejtues të komuniteteve fetare në Shkodër, myftilerë të ardhur nga Prizreni dhe Ulqini, drejtues të institucioneve lokale të qytetit, si kryetarja e Bashkisë, kryetarja e Këshillit të Qarkut, kryetari i Këshillit të Bashkisë, përfaqësuesi i Prefekturës, etj.
I pranishëm në këtë iftar ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Të ftuarit i përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ndër të tjera theksoi se: “Muaji Ramazan është Muaj i rimëkëmbjes shpirtërore dhe i vendosjes së ekuilibrave të shëndoshë në marrëdhënien tonë me Zotin dhe me krijesat e Tij. Është Muaj i identitetit të vërtetë të shpirtit dhe zemrës, udhëzues drejt ndërtimit të vlerave dhe pastrimit nga sprovat, që mbushin realitetet e shoqërisë me papastërtitë mbytëse të femohimit, imoralitetit, korrupsionit, gënjeshtrës, përmbysjes së njësive matëse të së mirës dhe të keqes në jetë, përhapjes së fenomeneve denigruese të shpirtit të lartë kombëtar, që mësyjnë plot meskinitet familjen dhe vlerat e saj, që tundojnë rininë drejt drogës e bixhozit, alkoolit e shthurrjes, që në vetvete janë të barazvlefshme me rrënimin e trashëgimisë së të parëve dhe dështimin e garantuar në të ardhmen e kombit dhe atdheut.”
Të pranishmit i përshëndeti edhe Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, i cili uroi besimtarët me rastin e Muajit Ramazan dhe vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe shpirtin e harmonisë komunitare në mesin e besimtarëve dhe qytetarëve në Shkodër.
Në përfundim, lutja e iftarit u bë nga H. Fejzi Zaganjori, i cili u lut për pranimim e agjërimit dhe veprave të mora, si dhe për mirëqenien dhe begatinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.