Të nderuar të pranishëm,
Sa herë tubohemi për promovimin e një botimi të ri, duhet të ndjehemi mirë sepse libri i dobishëm është vlerë e shtuar në shoqëritë njerëzore. Dhe, sikurse kanë thënë: “Librat janë kështjellat e të mençurve, ku mbrohen dhe kopshtet e tyre, ku shëtisin…”.
Ka kohë që ymeti islam përjeton një gjendje kllapie dhe hutimi, që e ka bërë të jetë kafshata e preferuar e egërsirave të kohës, siç e dëshmojmë prej dekadash. Dhe, natyrshëm, kjo gjendje buron nga shkaqet e veta, që lidhen me strategjitë e përçarjes dhe anarshisë, përhapjes së gjendjes së përgjumjes dhe asaj të pasivitetit në raport me tekstet e shenjta dhe vetë shpirtin e fesë tek muslimanët, që nxitësit dhe ushqyesit e islamofobisë kanë ditur ta bëjnë jo pa sukses në mesin tonë, falë edhe shumë shpirtshiturve, shërbyesve të zellshëm, por edhe duke shfrytëzuar injorancën, fanatizmin e verbër, ekstremizmin e stisur, mendjengurtësinë dhe dritëshkurtësinë e shumë rretheve me pretendues të Islamit në mbarë botën.
Dhe, siç thoshte edhe i urti, Malik bin Nebi: “Civilizimi lëviz, siç lëviz dielli. Ai sillet rreth tokës duke lindur në horizontet e një populli, pastaj lëviz drejt horizonteve të një populli tjetër..!”.
Ky pohim më kujton atë rrëfim të bukur e plot urtësi, që kryemyftiu sirian, Shejkh Ahmed Keftaro bën për gazetarin Imad Neddaf, vite më parë, kur tregon për bashkëbisedimin e tij me një gazetare hollandeze. Thotë: “Europa sot, nuk është më ajo e djeshmja. Tashmë ka nisur të shkundë pluhurin e fanatizmit dhe të hapë sytë. Evropianët panë se Islami është fé e mendjes dhe e logjikës, e çdo gjëje të dobishme për njeriun, e çdo parimi të saktë, që mendja e shëndoshë pranon, e çdo morali dhe mirësjelljeje. Këto janë sihariqe, për të cilat pat shkruar edhe filozofi anglez Bernard Show, që thoshte, se: “Nuk do të kalojë një shekull, pa u përhapur Islami në çdo cep të Evropës, së bashku me gjuhën e dadit (arabishten)”.
Mëngjesin e xhumasë së shkuar më vizitoi një zonjë gazetare hollandeze, rreth të gjashtëdhjetave… Para dy vitesh kishte përqafuar Islamin, pas studimesh të lodhshme dhe të hollësishme. Pastaj kishte përkthyer kuptimet e Kur’anit në gjuhën hollandeze. Kishte përkthyer edhe katër mijë hadithe profetike dhe kishte nisur të ftonte popullin e saj në Islam. Me dhjetra hollandezë përqafuan Islamin në duart e saj. Nuk u befasova, kur ajo më shprehu neverinë e saj karshi muslimanëve, sidomos pasi kishte vizituar shumë prej vendeve islame. Nuk u befasova nga neveria e saj për injorancën e shumë prej muslimanëve ndaj vetë fesë së tyre dhe largimin e tyre nga praktikimi i fesë dhe zëvendësimi i argumenteve të qarta me legjenda e iluzione.
Më përmendi hadithin: “Nuk do të bëhet kiameti, derisa të lindë dielli nga perëndimi i tij” dhe më tha: “Unë nuk e kuptoj ndryshe këtë hadith, vetëm se Evropa do ta përqafojë Islamin, me studim e kuptim, praktikim dhe dije, pastaj dielli i Islamit do të lindë nga perëndimi evropian drejt lindjes arabe dhe islame. Ia ktheva: Nëse në të shkuarën Islami kishte një diell, që lindi nga Lindja arabe, në kohën tonë, ai do të ketë dytë tillë; një diell nga perëndimi evropian dhe një diell nga lindja arabe dhe islame”.
E gjithë kjo do të thotë se, Islami është çështje e garantuar, porse ka nevojë për burra, që nuk tremben për të thënë të vërtetat me urtësi dhe largpamësi, si dhe për njerëz që kanë besim në All-llahun e Madhëruar, si Ibrahimi (a.s.), si Nuhu (a.s.) para tij, si Musai (a.s), si Hz. Isai (a.s.) në sprovën e tij, si Hz. Muhammedi (a.s.), kur i tha Ebu Bekrit (r.a.): “Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!”.
Tamam, siç shkruante Hamid Gjylbegaj në vitin 1943, te “Harpa e thyeme”:
“E drejta, e di se asht e hidhtë,
Me e pa, ndoshta, edhe me vdekë,
Por ç’ka t’duhet, ty, o syni i em,
Ti, ate, shiqo me e ndjekë!..”.
Nga këtu, më lejoni të përshëndes një vëlla të shtrenjtë dhe një mik të hershëm, me të cilin u njoha në rrugëtimet e kërkimit të dijes, rreth dy dekada më parë, a edhe më herët. Na bashkuan hoxhallarët e ditur të kohës, mexhliset e besëlidhjes që nuk devijon nga boshti i saj. Na bashkuan sprovat e Thirrjes Islame dhe angazhimet e përbashkëta në shërbim të kësaj feje dhe përhapjes së saj, me të gjitha mundësitë, shpesh edhe përtej tyre.
Më lejoni të falënderoj përzemërsisht, të nderuarin, thirrësin islam Lavdrim Hamja, imamin e zellshëm, njeriun modest dhe punëtorin e pashoq, për shërbimet e dëshmuara, sidomos me nxjerrjen në dritë të një sërë botimesh me vlerë, si: “Probleme në rrugën e jetës islame”, nga Shejkh Muhammed El-Gazali, “Mirësjellja në Islam”, nga enciklopedisti i madh i shekullit që kaloi, Shejkh Abdulfettah Ebu Gudeh, “Toleranca në Islam”, nga historiani erudit, Dr. Sheuki Ebu Khalil, “Grupi i shpëtuar është i gjithë ummeti islam”, nga Dr. Muhammed Adil El-Kejjali, (për përkthimin e të cilit pat porositur edhe Hoxha i jonë rahmet pastë, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi), “Reformatori i madh Umer ibn Abdulazizi”, nga Dr. Jusuf El-Karadavi, “Përse e gjithë kjo frikë nga Islami”, nga Dr. Muhammed Said Ramadan El-Buti dhe Dr. Xheudet Said, seria e botimeve: “40 Hadithe”, duke u konkretizuar në katër botime të veçanta me tematikë të larmishme rreth diturisë, agjërimit të Ramazanit, mirësisë së Kur’anit dhe porosive të dyzuara të Resulull-llahut (a.s.), “Lexoj dhe mësoj Kur’an”, një abetare e kompletuar dhe e përsosur në rregullat e texhvidit dhe një metodë e mirë për mësimin e leximit të Fjalës së All-llahut, “E vërteta e hidhur -1-”, nga Shejkh Muhammed El- Gazali dhe tashmë perla e radhës në këtë kolanë vlerash të padiskutueshme, titulluar: “E vërteta e hidhur -2-”, nga dijetari i shquar, guximtari i Thirrjes Islame, thirrësi drejt rizgjimit dhe rimëkëmbjes së ymetit tonë, Shejkh Muhammed El-Gazali.
Librin e ri e kam shfletuar kohë më parë, kur po përgatitej për botim. Jemi ulur e kemi diskutuar gjatë për 38 temat e tij, të përzgjedhura nga përkthyesi. Janë tematika të jetës së përditshme, që ngacmojnë ymetin dhe botën mbarë. Tematika që lidhen me ngritjen e nivelit të hytbeve në xhamitë tona, dilemat e nxitura nga orientalistë rreth ajeteve të Kur’anit dhe Hadithit, humanizmit, edukimit të fëmijëve, mexhliset e dhikrit, kriza e shpirtmadhësisë, etj.
Është frymëzim i madh të lexosh Shejkh Gazaliun, kur thotë: “Nuk konsiderohet kthim në Islam të shkruajmë mbi flamuj: “All-llahu ekber”, por kthim në Islam quhet të mbushim zemrat me “All-llahu ekber” dhe ta bëjmë Atë (All-llahu ekber) motiv të punëve dhe qëllim të jetës sonë!”.
Ose: “Tragjedia, me të cilën përballemi ne thirrësit në këtë lëmsh të madh në fushën e medias, është: Si të bindim një njeri se Islam është shtet, kur ai nuk beson se ai është fé!?”.
Ose: “Unë i drejtohem myslimanëve në çdo pëllëmbë të tokës islame që të zgjohen prej gjumit dhe të përvishen për të mbrojtur trashëgiminë dhe ekzistencën e tyre. Armiqësitë e vjetra befas janë zgjuar dhe mendojnë se kushtet u ndihmojnë për të na fshirë dhe për ta eliminuar fenë tonë.
Në çdo lagje, apo fushë, në çdo fshat, apo qytet duhet të sillemi rrotull nesh, sepse mund të ketë intriga të planifikuara dhe ne nuk i dijmë! Do t’i përkrahë All-llahu ata që e përkrahin fenë e Tij!…”
Ose: “Kam vënë re se, pas laikëve në botën islame qëndrojnë njerëz që nxisin pasuesit e feve të tjera kundër Islamit, u krijojnë justifikime dhe madje u mveshin myslimanëve akuza që nuk i kanë njohur as jehudët e as të krishterët”.
Ose: “Çdo fetarizëm që braktis diturinë, kundërshton mendimin dhe refuzon marrëveshjet pajtuese të ndershme me jetën, ai është fetarizëm që ka humbur aftësinë e tij për vazhdimësi!”.
All-llahu e mëshiroftë Shejkh Muhammed Gazaliun, e pranoftë veprën e tij, si dhe begatoftë me pranim e mbarësi këtë punë të re nga përkthyesi Lavdrim Hamja, si dëshmi e vullnetit të mirë për të përhapur dritë në një kohë të mjegullt, plot sprova, hutim e mungesë ekuilibrash!
Faleminderit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Fjala në promovimin e librit: “E vërteta e hidhur -2-”,
nga Shejkh Muhammed El-Gazali,
përkthyer në shqip nga teologu Lavdrim Hamja.
Shkodër, më 5 qershor 2018)