Tiranë, 7 qershor 2018
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në vazhdën e iftareve të shtruara me grupe të ndryshme besimtarësh në të gjithë vendin, shtroi një iftar edhe me studentët e përfshirë në programet edukative të AIITC. I ftuar në këtë iftar ishte Myftiu i Zonës së Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili shquhet për aktivitetin e tij botues në lëmin e literaturës fetare, krahas veprimtarisë si drejtues i jetës fetare islame në rrethin e Shkodrës.
Ky aktivitet ishte organizuar në një mënyrë krejt të veçantë, ku studentët patën mundësinë që para ngrënies së iftarit, të dëgjonin prej myftiut të nderuar ligjëratën me temë: “Urtësi dhe këshilla profetike me frymë Ramazani”. Gjatë fjalës së tij, Imam Sytari dha për studentët pjesëmarrës disa këshilla mbi përfitimet shpirtërore e morale nga agjërimi i Ramazanit.
Myftiu Sytari theksoi se Ramazani është muaj i një përkushtimi të jashtëzakonshëm, muaji i rimëkëmbjes shpirtërore dhe i vendosjes së ekuilibrave të shëndoshë në marrëdhënien tonë me Zotin. Sipas tij, sprova e vërtetë nis me mbarimin e Ramazanit, nëse besimtarët do të munden ta vazhdojnë frymën e tij në jetën e tyre. Ai nënvizoi se ky muaj bazohet në tre shtylla, të shprehura në tre hadithe të profetit Muhammed (a.s). Së pari, atij që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë te Zoti, i falen gjithë gjynahet e së shkuarës. Së dyti, atij që falet gjatë netëve të Ramazanit, i falen gjynahet e së shkuarës. Së treti, ai që kalon me adhurime natën e Kadrit, i falen të gjitha gjynahet. Janë pikërisht këto shtylla, në bazë të të cilave Allahu vërteton devotshmërinë tonë ndaj Tij.
Nëpërmjet Islamit, theksoi ai, njeriu realizon edhe një nga synimet e krijimit të tij, të bëhet mëkëmbës i Zotit në Tokë. Ai shtoi se besimtarët myslimanë kanë arritur të ruajnë dhe të krijojnë ura komunikimi në të gjithë botën, sepse Kurani është libri që i plotëson dhe përmbush të gjitha shpalljet e mëparshme hyjnore.
Më pas, me ardhjen e kohës së iftarit, ai i ftoi studentët dhe të pranishmit që të çelin iftarin, me urimin që i Lartmadhërishmi t’ua ketë pranuar agjërimin dhe me këshillën për ta falënderuar Atë për mirësitë që u ka dhënë në këtë jetë.
(me përshtatje nga: aiitc.net)