Myftiu: “Sahabët, yje ndriçues në errësirat e realiteteve tona!”
Ditën e shtunë, më 20 qershor 2026, në vazhdën e ciklit të ligjëratave me temë: “Sahabët e mi janë si yjet!”, që Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, po mban në qendrat kulturore të disa prej xhamive të Shkodrës, u zhvillua ligjërata e radhës në hapësirat e Qendrës Kulturore, pranë xhamisë në Krye-Bushat.
Gjatë ligjëratës së tij, Myftiu Sytari, u ndal tek shembulli i urtësisë dhe këshillave me vlerë të sahabiut të dashur, Hz. Abdullah ibn Abas (r.a.) dhe sahabiut të dashur, Hz. Ebu Derdá (r.a), në shembullin e të cilëve ka stacione të urta të udhëzimit islam.
Në mesazhet e tyre, vlen të përmendet nxitja për t’u distancuar nga gënjeshtra, përfolja dhe thashethemet, si fenomene shkatërrimtare në shoqëri, si dhe ruajtja e sekreteve në mirëbesim!
Myftiu tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve drejt domosdoshmërisë së vetëkontrollit, përmirësimit të vazhdueshëm në jetë dhe vetëdisiplinimit, mbështetur në këshillat e sahabëve të urtë, që ishin brezi më i mirë dhe i arritur i krejt racës njerëzore.
Myftiu falënderoi përkushtimin e imamit të nderuar, H. Ridvan Luzaku, që kujdeset për aktivitetin e Qendrës Kulturore në Krye-Bushat, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre fëmijët muslimanë të kësaj zone.
Më herët, Myftiu i Shkodrës, vizitoi edhe varrin e imamit të nderuar dhe edukatorit të dashur, Hafiz Shukri Kapllan, ku lexoi një “Fatiha” për shpirtin e Mësuesit të urtë, i cili ia kushtoi jetën e tij Thirrjes Islame dhe zgjodhi zonën e Bushatit, si vendbanimin e tij, duke u shpërngulur nga Stambolli, në shërbim të besimit dhe banorëve të kësaj zone, që e kujtojnë me respekt dhe lutje për kontributin e tij të madh, në vitet e vështira të rimëkëmbjes islame në Shkodër.





