Ditën e xhuma, më 8 qershor 2018, Myftinia Shkodër organizoi faljen e teravisë së parë në xhaminë e re te Ura e Bunës.
I pranishëm në këtë tubim besimi ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që shoqërohej edhe nga drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi dhe teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu theksoi se xhamia është Shtëpia e All-llahut, që do të thotë se në këtë vend ka shpresë, bekim, garanci dhe mirësi pa fund.
Njëkohësisht shprehu kënaqësinë e tij për ndërtimin e xhamisë së re te Ura e Bunës, mbi vakëfin e vjetër dhe në të njëjtin vend ku ndodhej më parë xhamia e vjetër.
Ai falënderoi kontributin e madh të z. Gani Kryeziu për realizimin e këtij objekti të ri me vlerë, që natyrshëm do t’i shërbejë komunitetit si një qendër edukimi me frymën e moralit islam dhe ruajtjes së besimit të zemrave.
Myftiu kërkoi nga fëmijët dhe të rinjtë e pranishëm që ta dijnë se janë muslimanë dhe ta ruajnë fenë e tyre me zemër e ta dëshmojnë me vepra e sjellje.
Më pas, nën drejtimin e teologut Lavdrim Hamja, u krye namazi i teravisë dhe u këmbyen lutje dhe urime me rastin e kësaj nate të shënuar.
Xhamia e re te Ura e Bunës është thuajse e përfunduar dhe me plotësimin e punimeve, do të zhvillohet edhe ceremonia e inaugurimit të saj.