Në kuadër të ciklit të hytbeve të Ramazanit 1439 që Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Muhamed B. Sytari po mban në xhaminë e “Dy Vajzave”, të xhumanë e fundit për këtë Ramazan, më 8 qershor 2018, u përqendrua tek vlera e Natës së Kadrit dhe madhështisë së Kur’anit Famëlartë.
Mytiu theksoi se Kur’ani nuk ka zbritur për të zbukuruar mexhliset me leximin e tij dhe librotekat me botimet e tij të larmishme, porse ai është udhëzim i drejtëpërdrejtë për racën njerëzore, për ta nxjerrë nga errësira në dritë.
Ai iu referua ajeteve të sures së Natës së Kadrit, ku hodhi dritë mbi shpjegimin e saj, si dhe nxiti shtimin e adhuri eve dhe lutjeve në pjesën e mbetur nga Ramazani i sivjetshëm.
“Në tefsirin e tij, Imam Kurtubiu shpjegon se Nata e Kadrit është nata e madhe e vendimeve, nata e përcaktimeve, “sepse All-llahu i Madhëruar përcakton në të, atë që dëshiron për çdo gjë, deri në vitin e ardhshëm; qoftë vdekje, rizk, etj… Transmetohet nga Ibn Abbasi (r.a.) që thoshte: “Shkruhet atë Natë nga Libri i Zanafillës, çdo gjë që do të ndodhë gjatë vitit vijues prej rizkut, shiut, jetës e vdekjes, deri haxhilerët!”.
Ndërsa Ikrime e plotëson e thotë: “Do të shkruhen emrat e haxhilerëve të Shtëpisë së All-llahut të Madhëruar në Natën e Kadrit, me emrat e tyre dhe emrat e baballarëve të tyre, nuk pakësohet as shtohet asnjë prej tyre!”…”, shpjegoi ndër të tjera.
Gjithashtu, Myftiu u lut për pranimin e këtij Muaji dhe rimëkëmbjen e ymetit islam në mbarë botën, si një sihariq i madh për të ardhmen e njerëzimit.
Duke përmendur atmosferën dhe shpirtin e besimit, që gjallëron në Ramazan, Myftiu tha se besnikëria e vërtetë ndaj Muajit Ramazan, dëshmohet më së miri me fillimin e Fitër Bajramit.