Mesazhi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Fitër Bajramit 1439

Të nderuar dhe të dashur vëllezër dhe motra besimtarë muslimanë,

Tashmë që Hana e re e Muajit Shevval, po bëhet gati të shfaqet mbi horizontet e botës sonë, më lejoni t’ju uroj me rastin e fillimit të Festës së Fitër Bajramit 1439.

Për 30 ditë, të gjithë u bekuam me agjërim dhe lutje, me adhurime dhe bamirësi, që na morën për dore drejt lartësimit në shkallët më të larta të përkushtimit në jetë. Pikërisht, ky përkushtim, ishte dhe mbeti thelbi kryesor i Muajit Ramazan.

Për këtë, më lejoni t’ju ftoj në leximin dhe reflektimin e drejtë të ajeteve të sures Ali Imran, që dua të jenë edhe mesazhi kryesor i kësaj Feste: “Dhe shpejtoni (me punët që meritoni) në falje gjynahesh nga Zoti juaj dhe drejt një xhenneti, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të përkushtuarit. Të cilët japin kur janë mirëqenie edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve; All-llahu i do bamirësit! Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (gjynah) të shëmtuar ose i bëjnë padrejtësi vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i falë gjynahet përveç All-llahut? Dhe, që duke e ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen). Shpërblimi i të tillëve është falja nga Zoti i tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e aty do të rrinë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë!”[1]

Ju ftoj me zemër të ndahemi nga realitetet e vulgut, që na tërheqin drejt idhujtarisë, shirkut dhe formave të devijuara të besimit, drejt intrigave dhe tendencave përçarëse që e shkatërrojnë harmoninë kombëtare, ku njeriut i kërkohet të shkëputet nga mendja dhe logjika, të zhvishet nga shpirti dhe morali, nga identiteti dhe thirrja reale e shpirtit të tij, ku padrejtësia dhe manipulimi tentojnë të qëndrojnë në fronet e drejtimit të jetës dhe shoqërisë!

Kurrsesi nuk duhet të pranojmë që besimi ynë të nëpërkëmbet, që pastërtia dhe drejtësia e Islamit tonë të kthehet në objekt diskutimi në mesin e të devijuarve, që punojnë me kazmat e injorancës dhe racizmit për të shkatërruar vlerat e lirisë, besimit dhe harmonisë njerëzore në mesin e racës së përzgjedhur nga Zoti i gjithësisë për mbartjen e amanetit më të shtrenjtë të gjithësisë; Përhapjes së Fjalës së Tij!

Tashmë, që agjërimi ynë po niset drejt vendit të Dëshmive të mëdha, lutem me zemër që All-llahu i Madhëruar ta begatojë e ta udhëzojë drejt Dashnisë së Tij popullin tonë, ta forcojë Islamin në zemrat tona dhe të na bëjë të ndjehemi krenarë më këtë fé shekullore dhe të lashtë, sa lashtësia e njeriut mbi tokë!

Gëzuar Fitër Bajramin!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 30 Ramazan 1439 / 14 qershor 2018


[1] Kur’ani, Ali Imran: 133-136.