Myftiu: “Muslimanët e kanë për detyrë të luten dhe të punojnë për sukseset e njëri-tjetrit!”

Mbrëmjen e së mërkurës, më 13 qershor 2018, me rastin e teravisë së fundit të Ramazanit 1439, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zgjodhi xhaminë e fshatit Barbullush, e njohur ndryshe edhe si xhamia e Iskenderunit.

Me këtë rast, Myftiu uroi besimtarët për agjërimin e Ramazanit të sivjetshëm, sidomos djemtë e rinj dhe vajzat e reja, që këtë Muaj dëshmuan një përkushtim të madh ndaj fesë dhe besimit të tyre.

Myftiu përmendi edhe mirësinë e madhe të realizimit të kësaj xhamie, katës vite më parë, falë binjakëzimit të Myftinisë Shkodër me Myftininë e Iskenderunit në Turqi.

Ndër të tjera, Myftiu u lut që All-llahu i Madhëruar ta begatojë popullin turk, t’i japë mbarësi dhe suksese drejt arritjes së qëllimeve fisnike që gëzojnë mbarë ymetin islam!

Ai tha se sukseset e Turqisë janë shpresë për mbarë botën islame dhe se muslimanët e kanë për detyrë të luten dhe të punojnë për sukseset e njëri-tjetrit!

Gjatë fjalës së tij, Myftiu uroi besimtarët me rastin e Fitër Bajramit dhe kërkoi që shpirti i përkushtimit dhe forcimit të vëllazërisë islame, bashkëpunimit dhe harmonisë në mesin e muslimanëve të forcohet edhe më shumë në gjurmët e Muajit Ramazan.