Që në orët e para të mëngjesit të ditës së xhuma, më 15 qershor 2018, rrugët e qytetit të Shkodrës nisën të gjallërojnë nga besimtarë të shumtë, që u drejtuan për në xhamitë e tyre për të dëshmuar bashkarisht lutjet dhe adhurimet e Fitër Bajramit.
Ceremonia kryesore u zhvillua në xhaminë “Ebu Bekër”, ku pas faljes së namazit të sabahut, ligjërata e parë u mbajt nga imami i kësaj xhamie, teologu Idmir Plaku.
Në fjalën e tij, imami i nderuar dha udhëzime dhe këshilla që lidhen me vlerën e sadekatul-fitrit dhe qëllimet e shpërndarjes së saj. Ai tha se vlera e kësaj lëmoshe qëndron edhe në faktin se ajo e shërben edhe si shlyerje e gabimeve të ndryshme a lëshimeve që mund të ketë bërë agjëruesi gjatë muajit të Ramzanit. Ai e krahasoi sadekatul-fitrin me sehvi-sexhden, që bëhet në fund të namazit, në raste gabimesh a harresash.
Njëkohësisht theksoi se shpërndarja e kësaj vlere monetare shërben edhe si mënyrë për të shëruar varfërinë në shoqëritë tona, sepse ajo vjen edhe si ndihmë për të varfërit për të kapërcyer pragun e varfërisë në prag të Festës.
Më pas, fjalën e mori Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili dha edhe mesazhin e tij të kësaj dite, pasi uroi të pranishmit me rastin e Fitër Bajramit.
Ndër të tjera, tha: “Ejani pra, ta dëshmojmë me sa të kemi mundësi këtë Islam në realitetet tona, ta përhapim me sa të kemi mundësi, të ftojmë shoqërinë tonë drejt fesë së All-llahut dhe Kur’anit të Tij, ta dëshmojmë bukurinë e kësaj feje dhe ëmbëlsinë e saj, ta mbajmë lart frymën e besimit dhe përkushtimin e Ramazanit, për të mos toleruar shkeljen e shenjtërive tona, për të mos bërë kompromis mbi kurrizin e fesë, për të mos pranuar asnjë shkelje të të drejtave legjitime të besimit dhe vullnetit për ta ndërtuar jetën mbi këtë bekim të madh shekullor!”
Gjatë fjalës së tij, Myftiu u ndal edhe tek përhapja e fenomeneve negative, ku bëri thirrje për respektimin e prindërve, distancimin nga abortet dhe vrasja e foshnjave të posalindura, largimi nga alkooli dhe padrejtësitë, etj.
Një këshillv me vlerë dha edhe teologu Arben Halluni, i cili dha edhe shpjegimet e duhura për mënyrën e faljes së namazit të Fitër Bajramit, që u drejtua nga Myftiu i Shkodrës.
Në shoqërinë e tekbireve, imami i xhamisë, teologu Idmir Plaku mbajti hytben e rastit, me përfundimin e së cilës besimtarët u përshëndetën në mes vete duke uruar begati dhe harmoni me rastin e Fitër Bajramit.