Vizita dhe prania e një grupi dijetarësh të shquar të ymetit tonë islam nga India, Pakistani, Britania e Madhe, Afrika e Jugut, etj., me në krye Shejkhul-Islamin Mufti Muhammed Takijuddin El-Uthmani, sot në Tiranë, ishte pa dyshim një shenjë e madhe bekimesh dhe mirësie hyjnore për shqiptarët dhe Shqipërinë!
Aty ku shkel këmba e tyre, aty ku janë ata dhe përshpirtja e tyre, aty zbret mëshira dhe bekimet hyjnore!
Ishte një moment i dëshmuar takimi me Hoxhën e dashur, Mufti Muhammed Takijuddin El-Uthmanin, si dhe dëgjimi e përfitimi nga zemërgjerësia e tij, dija dhe eksperiencat e panumërta.
Autor i mbi 80 vëllimeve plot vlerë e dije, Mufti Muhammed Takijuddin El-Uthmani është sot, njëri prej dijetarëve elitarë më të spikatur të botës sonë islame.
Vizita të tilla elitare duhet të jenë më të shpeshta, sepse bashkësia e muslimanëve shqiptarë ka përherë e më shumë nevojë për zëra elitarë, që udhëzojnë rrugëtimet e tyre plot smog izolimi, sot e 28 vite të kësaj ripërtëritjeje kombëtare!
Institucionet tona islame e kanë të domosdoshme sot rritjen e bashkëpunimit me qendrat botërore të Thirrjes Islame dhe institucionet e tyre elitare, duke filluar me Dijanetin e Turqisë, Ministritë e Vakëfeve të Kuvajtit, Emirateve, Arabisë Saudite, Marokut, Egjiptit, Unionin Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Komisionin Evropian për Fetva, Akademinë Botërore të Fikhut, e shumë e shumë institucione të tjera botërore, që do ta ndihmonin shumë këtë rrugëtim, sidomos sot në kohën e madhe të rimëkëmbjes së ymetit islam dhe rizgjimit të vetëdijes islame në mbarë botën tonë.
Më bekoi All-llahu sot, me këtë takim zemre me Hoxhën e urtë, që na mbushi zemrat me këshillat dhe fjalët e tij plot respekt e nderim për shqiptarët, si dhe me udhëzimet e tij për krejt ne, në përballjet tona me sfidat e kohës!
Na dritësove, i shtrenjti Hoxhë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Tiranë, 23 qershor 2018