Të xhumanë, më 22 qershor 2018, u inauguruan dy çezmet e reja te xhamia “Ebu Bekër”, bamirësi komunitare e të nderuarit, Haxhi Besnik Elbasani.
Gjatë hytbes së mbajtur në xhaminë e madhe të qytetit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ftoi besimtarët të marrin pjesë në inaugurimin e dy çezmeve të reja, duke theksuar se kjo bamirësi e të nderuarit, Haxhi Besnik Elbasani, ka një vlerë të madhe dhe një shpërblim të papërshkrueshëm tek Zoti i gjithësisë.
Myftiu tha se, bamirësia është tipar i muslimanëve shkodranë, të cilët ndër shekuj kanë ditur të dhurojnë dhe të ndërtojnë në shërbim të fesë së tyre.
“Kemi nevojë që këtë shpirt të madh ta trashëgojmë edhe tek fëmijët tanë, të cilët e kemi për detyrë t’i edukojmë me këtë virtyt të njerëzve të mirë e besimtarëve të përkushtuar”, tha ndër të tjera.
Pas përfundimit të xhumasë, Myftiu me një grup besimtarësh, inauguruan së bashku çezmet e reja, duke u lutur për shëndetin dhe mbarësinë e kontribuesit dhe përfitimin prej kësaj bamirësie të mbarë komunitetit, kalimtarëve dhe vizitorëve të ndryshëm.