“Prishja është ndjekja e epsheve pa udhëzimin e Zotit”

Thotë All-llahu i Madhëruar në suren El-Kasas, ajeti 50: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur udhëzim prej All-llahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon popullin zullumqar.”

Ky ajet kur’anor është thelbi i kuptimit të prishjes dhe degjenerimit që po përhapet në masë në shoqëritë tona!

 “Prishja është ndjekja e epsheve pa udhëzimin e Zotit[1]

Prishje është kur njeriu del nga natyra në të cilën e ka krijuar Zoti. Fjala bie: U kthyem para ca ditësh nga Medina e Resulull-llahut (a.s.) dhe mbërritëm në Rinas. Sapo hymë në aeroportin e vendit tonë, fasada e parë me të cilën përballet njeriu është një afishe e stërmadhe, me dy femra të zhveshura që reklamojnë veshje intime.

Edhe në hyrje të Shkodrës, gjatë Ramazanit që kaloi dhe deri para pak ditësh, një firmë veshjesh intime, kishte vendosur afishen e saj të stërmadhe në ballë të urës së Bahçallekut; dy femra të reja me veshje intime!? A ka më prishje se kaq? A ka më degjenerim se kaq? Ku janë institucionet dhe autoritetet, që kanë për detyrë të ruajnë disa norma, që po u prishën, u prish krejt shoqëria? Ku është turpi dhe marrja!?

Shihni, andej-këndej reklamohen me të madhe pije alkoolike, kazino, baste, duhani, zhveshja, lakuriqësia, si një makineri që vetëm se përhap zhveshjen nga ndjenja e turpit dhe nxit shpërbërjen e vlerave të individit, familjes dhe shoqërisë!

Thirrja islame është të ruajmë këtë begati që na ka dhënë Zoti: Familjen! Të mos e humbë Baba rolin e tij si prijës dhe drejtues i urtë në familje! Të mos lejojë Nëna që të shpërfytyrohet roli dhe pozita e saj, të mos bëhet reklamuese e së keqes për bijat dhe bijtë e saj! Mos të devijojë nga pozita e njeriut më të shtrenjtë në jetë! Të mos lejojmë të na i vjedhin djemtë e vajzat, për të na i kthyer në manekinë dhe kavie për eksperimente, që kanë rezultuar fatale dhe shkatërrimtare në perëndim, para se të vinin tek ne.

Prita para ca muajsh një grup studentësh nga një vend perëndimor. Habiteshin se si funksionon familja shqiptare, që në fakt është familje e bazuar mbi një bosht të shëndoshë fetar. Më thanë me habi: Ne jemi ndarë nga prindërit tanë që në moshën 15 a 18 vjeçare! I telefonojmë nganjëherë për festa. Jetojmë secili në punë të vet. Kemi lidhjet tona, bashkëjetojmë, por pa angazhime të mëdha. Lindshmëria është e vogël, ndërsa mbajtja e kafshëve shtëpiake është e madhe dhe shenjë civilizimi!?

Nga këtu na lind e drejta të pyesim se ku po shkon njeriu i kësaj kohe? Ka vende, ku lindshmëria është shumë e ulët. Edhe tek ne ka filluar të përhapet kjo modë e keqe, që e shkatërron jetën dhe nuk e trashëgon atë!

Prishje është shkatërrimi i ambientit dhe mjedisit, shkatërrimi i jetës ujore dhe asaj bimore. Që kur hynë OMG, organizmat e modifikuara gjenetikisht, humbëm shijen në ushqim! Që kur u hapën bazenat e rritjes së peshkut me kimikate e ushqim artificial që vjen nga kushedi se ku, i plastifikuar, humbëm shijen e peshkut; ne që na ka begatuar All-llahu me lumenj, liqen e det!? Humbëm shijen e mishit, nga bombardimet e kafshëve të gjora me hormone! Humbëm shijen e ujit! A nuk është kjo një prishje dhe shkatërrim i frikshëm, për të cilin na është tërhequr vëmendja këtu e 15 shekuj më parë!?

PRISHJA ËSHTË NDJEKJA E EPSHEVE PA UDHËZIMIN E ZOTIT

Në suren Er-Rrum, ajeti 41, urdhëron: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).”

Ndërsa Resulull-llahu (a.s) na udhëzon drejt zgjidhjes dhe sekretit të mbarësisë, kur thoshte: “Si do të veproni atë ditë kur do të devijojnë të rinjtë tuaj dhe do të shthuren gratë tuaja?” I thanë: A do të ndodhë kjo, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur nuk do të urdhëroni më për të mirë dhe s’do e ndaloni më të keqen?” I thanë: A do të ndodhë kjo, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur do të urdhëroni për të keq dhe do ta ndaloni të mirën?” I thanë: Edhe kjo do të ndodhë, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur do ta shihni të mirën të keqe dhe të keqen të mirë?!”

Ndërkohë, thoshte: “Do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni të keqen, ose do t’ju ndëshkojë All-llahu me më të këqijtë në mesin tuaj, atëherë do të luten më të mirët në mesin tuaj dhe s’do t’u përgjigjet!”

Është e frikshme të mendosh se sot, sa herë dëgjon debate politike, sociale e kulturore, do të dëgjosh se kryeministri, presidenti, kryetari i Bashkisë, deputeti, drejtori, avokati, gjyqtari, prokurori, polici, imami, myftiu, etj., është hajdut, i korruptuar, mashtrues, i degraduar, i përdalë…  Çfarë mbetet pas kësaj? Dilni një pasdite dhe bëni një xhiro nëpër rrugët e Shkodrës dhe lokalet e saj, për të parë se si jemi katandisur!

Prandaj, le të kthehemi me pendim të sinqertë nga Zoti i gjithësisë dhe të kërkojmë falje, të angazhohet secili për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar të keqen, jo për të thënë secili se mua nuk më duhet se çfarë bëjnë të tjerët!?

Mos dëgjoni deklaratat e atyre që shesin nderin kombëtar para perëndimorëve, teksa u thonë se jemi shoqëri laike; atyre që e kanë Islamin halë në sy! Lërini ata në hutimin dhe kllapinë e tyre! Ne jemi muslimanë dhe duhet të kemi prioritet kryesor në jetë fitimin e kënaqësisë së All-llahut, Zotit tonë, jo plotësimin e epsheve dhe tekave të njërit a tjetrit në kurriz të fesë!

Fenë duhet ta kemi kufij pa tolerancë! Nëse e shesim edhe fenë për një hap më shumë drejt prishjes dhe degjenerimit, atëherë kemi humbur këtë jetë dhe të ardhmen!

Zoti na ruajtë ne dhe fëmijët tanë, rininë dhe shoqërinë tonë nga prishja dhe devijimi!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Hytbeja e xhumasë, mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 31 gusht 2018

 


[1] Tefsirun-Nabulsi, vëll. 7, f. 144.