Paraditën e së enjtes, më 13 shtator 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e Myftinisë Shkodër.
Në qendër të takimit ishte analiza e vitit 1439, si dhe disa çështje që lidhen me cilësinë e ligjërimit, urtësinë e tij, si dhe nderin e shërbimit për përhapjen kudo të fesë së All-llahut, mësimeve te Kur’anit dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s.).
Myftiu dha edhe disa udhëzime që kanë të bëjnë me detyrat dhe shërbimet e imamit, muezinit dhe mirëfunksionimin e jetës fetare në xhami.
U theksua se duhet angazhim i madh në drejtim te edukimit të brezit të ri me frymën e besimit islam, sikurse duhet që imamët të punojnë me të gjitha mundësitë për të qenë sa më afër rinisë dhe xhematit të xhamive tona.
Myftiu tha se kjo është kohë sprovash të gjithanshme që kanë përfshirë vendin dhe mbarë ymetin islam, sikurse po shtohen provokimet banale ndaj muslimanëve, si të ishin pakicë e diskretituar, prandaj ligjëruesit islamë duhet të jenë të vëmendshëm duke mos u stepur në punën dhe thirrjen e tyre.