Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra besimtarë, bashkëqytetarët e mi shkodranë!
Më lejoni që nga kjo fushë e begatë e Arefatit, në këtë ditë të madhnueshme të Arefatit, në prag të Kurban Bajramit t’ju uroj me zemër, që Zoti i gjithësisë të zbresë mëshirën e Tij të pakufishme, faljen e Tij, dashninë e Tij, bekimin e Tij mbi gjithsecilin prej jush, mbi familjen tuaj, mbi vendlindjen tonë, mbi krejt njerëzimin.
Tashmë jemi përgjigj All-llahut të Madhëruar me telbijen e shenjtë, duke thënë “Lebejkall-llahumme lebejk” dhe me ihrame te bardha kemi ardhur drejt këtij vendi të shenjë për t’u lutur bashkërisht me miliona besimtarë muslimanë nga mbarë globi, të cilët tubohen sot në një ditë të pashembullt adhurimi. Në një ditë të jashtëzakonshme besimi dhe përuljeje e dorëzimi para thirrjes së Zotit të gjithësisë.
Të dashurit e mi!
Të gjithë ne kemi nevojë për t’ju përgjigjur në çdo moment të jetës sonë thirrjes së Zotit, i Cili na udhëzon dhe na merr për dore drejt asaj, e cila është më e mira; larg veseve, larg alkoolit, larg bixhozit, larg shkatërrimit të familjes, larg imoralitetit, larg afetarizmit, larg çdo gjëje që e shkatërron mendimin, logjikën, mendjen, arsyen, shpirtin, zemrën, trupin dhe ekonominë e njeriut mbi tokë.
Të dashurit e mi!
Unë lutem me zemër nga ky vend i shenjtë që All-llahu i Madhëruar t’ju begatojë e t’ju udhëzojë drejt dritës së Tij. Ne kemi nevojë sot për një rimëkëmbje të madhe, e një rizgjim të madh e të fortë, për t’u rikthyer tek rrënjët e besimit tonë për t’u rikthyer tek vlerat konkrete të besimit tonë, për të dëshmuar realisht në jetën tonë të përditshme, madhështinë e këtij Islami, për t’i rikthyer hijeshinë dhe pashinë, dritën dhe madhështinë Shkodrës tonë, Shqipërisë tonë; kudo që të jemi me vlerat më të mira morale dhe kombëtare që burojnë nga ky Kur’an, nga ky Islam i pastër, nga kjo dritë e pashuar, e cila udhëzon dhe ndriçon njerëzinë nga momenti i krijimit të njeriut të parë dhe do të vazhdojë ta bëjë deri në ditën e fundit.
Të dashurit e mi!
Ju ftoj me zemër që të luteni për njeri-tjetrin, e të punoni për njeri – tjetrin, të punojmë për harmoninë në mesin tonë e të punojmë për vlerat që na bëjnë të dëshmohemi si popull i qytetëruar, popull besimtar, popull i distancuar nga keqja!
Ne kemi lidhur zemrat me Zotin e gjithësisë, i jemi përgjigjur All-llahut të Madhëruar me telbijen e shenjtë, jemi veshur me të bardha e shpresojmë që e bardha të na karakterizojë në çdo moment, çdo sekondë e minutë të jetës sonë, sa të jemi në këtë botë e sa të jemi në këtë jetë kalimtare.
Ju dua me zemër dhe ju përshëndes nga vendet e shenjta!
Allahu ju dashtë e ju bekoftë!
Me zemër të mirë Kurban Bajramin!
Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Arefat, 20 gusht 2018