Sikurse është lajmëruar, nga data 1 nëntor 2018 e në vijim, Myftinia Shkodër ka nisur një cikël të ri të ligjëratave me temë: “Resulull-llahu (a.s.) – shembulli më i përsosur”, që po zhvillohen në xhamitë e fshatrave.
Ky projekt ka për qëllim të gjallërojë jetën fetare në xhamitë tona, si dhe të afrojë në vëmendjen e besimtarëve shembullin e përsosur të Hz. Muhammedit (a.s.).
Gjatë ditëve të shkuara e deri në këto momente, janë zhvilluar 6 nga këto tribuna fetare, ku imamët dhanë mesazhe me vlerë që zgjojnë zemrën dhe e ushqejnë atë me dritë besimi, duke iu referuar vlerës që ka leximi dhe nxjerrja në pah e jetës dhe shembullit të Hz. Muhammedit (a.s.) të dërguarit të All-llahut si mëshirë për mbarë botët.
Deri tani janë zhvilluar ligjëratat e paralajmëruara për në xhamitë e fshatrave: Shirokë, Bardhaj, Boks, Kullaj, Trush dhe Barbullush, ku ligjëruan imamët dhe teologët e nderuar: Lavdrim Hamja, Idmir Plaku, Adrian Uraj, Adil Cukali, Naim Drijaj, Adem Pizga, Gilman Kazazi, Ervil Kuçi dhe Arben Halluni.
Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij projekti me dobi që do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, sikurse do të pasojë me grupin e dytë të xhamive të përcaktuara për zhvillimin e këtij cikli, në atmosferën e begatë të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).