Ditën e mërkurë, më 21 nëntor 2018, pas namazit të iqindisë në xhaminë “Ebu Bekër”, Myftinia Shkodër organizoi një takim me motrat muslimane, me temë: “Më i miri prej jush, është më i mirë me familjen e tij”.
Aktiviteti, që kishte në thelb porosinë e shtrenjtë të Hz. Muhammedit (a.s.), u fokusua tek rëndësia e edukimit të fëmijëve me frymën e besimit dhe dashurisë për All-llahun, Librin e Tij, Kur’anin Famëlartë dhe të Dërguarin mëshirë për gjithësinë, Hz. Muhammedin (a.s.), si burime garante të një jete me dinjitet e krenari.
Ligjëruan vaizet Ferzet Ndoja, Zamira Puka dhe Jetmira Plaku, të cilat hodhën dritë mbi vlerat e ajeteve dhe haditheve që nxisin përkujdesjen për familjen, ruajtjen e saj nga devijimi dhe shthurrja, edukimin e drejtë të fëmijëve, kultivimin e harmonisë dhe mbrojtjen e tabanit të kësaj çerdheje, që garanton trashëgiminë e jetës sipas vullnetit të Krijuesit.
Tubimi u shoqërua edhe me recitime dhe duanë e Hatmes së Kur’anit.
Aktivitetet me rastin e përkujtimit të Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s.) do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, sipas programit të paracaktuar nga Myftinia Shkodër.