Në vazhdën e aktiviteteve me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.), ditën e martë, më 20 nëntor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti një ligjëratë para maturantëve të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, dega djem.
“Kërkimi i dijes është obligim për çdo musliman”, ishte porosia e shenjtë e të Dërguarit të All-llahut, rreth së cilës Myftiu tëehoqi vëmendjen e djemve tanë se, ka shumë rëndësi shoqërimi me njerëz të ditur dhe të urtë gjatë procesit të marrjes së dijes, sidomos të asaj dije, që lidhet me besimin dhe fenë.
Myftiu kërkoi nga djemtë e rinj që të mos ndalet asnjëherë përpjekja drejt përvetësimit të shpirtit të traditave të Hz. Muhammedit (a.s.) në jetën e përditshme. Ai tha se shembullin e të Dërguarit të All-llahut e kemi udhëzim shërues deri në kijamet, prandaj nuk ka pse të kërkojmë për alternativa të tjera në jetë.
Aktivitetin e përshëndeti fillimisht z. Kujtim Dervishi, drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”. Ai vuri theksin tek modeli i suksesshëm i Medresesë dhe vlerësoi përkujtimin e ditës së Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.) si një moment angazhimi në jetën e çdo muslimani.