Me porosi të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 23 nëntor 2018, në të gjitha xhamitë e Shkodrës u mbajt hytbeja e unifikuar, kushtuar dërgesës së Hz. Muhammedit (a.s.) për mbarë njerëzimin dhe mëshirë për botët.
Nga minberi i xhamisë së fshatit Bardhaj, Myftiu theksoi se detyra e muslimanëve në hak të Resulull-llahut (a.s.) sot, është përhapja e dritës së udhëzimit të tij, duke e nxjerrë atë nga xhamia e shtëpia, në çdo vend dhe me këdo.
Myftiu tha se, Hz. Muhammedi (a.s.) u dërgua për ta shpëtuar identitetin e njeriut dhe për ta kthyer atë nga rrugëtimet e shfrenuara drejt dekadencës, ku kishte rënë.
“All-llahu i Madhëruar na lartësoi si besimtarë, duke na kërkuar t’i bashkangjitemi bekimeve dhe mëshirës që Zoti i gjithësisë dhe melekët i dërgojnë atij! Duhet të ndjehemi më fatlumët e botës për faktin që jemi pjesë e ymetit të Hz. Muhammedit (a.s.), të dërguarit me mesazhin e plotë dhe udhëzimin, në të cilin nuk ka mangësi!” – tha, ndër të tjera Myftiu.