Kudsi Sherif, takim me vizitorët e vendit të shenjtë

Pasditën e së enjtes, më 24 janar 2019, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet me rastin e kthimit në vendlindje të grupit të besimtarëve shkodranë, që vizituan para pak ditësh vendin e shenjtë të Kudsi Sherifit dhe xhaminë Aksa.

Aktiviteti u hap me fjalën e rastit të mbajtur nga teologu Arben Halluni dhe u fokusua tek mbresat dhe kujtimet e paharruara, që u përmblodhën me shumë emocion nga teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë.

Gjatë fjalës së tij, imami i nderuar foli për shenjtërinë e Kudsi Sherifit, si dhe pozitën e këtij qyteti me stacionet e tij historike në jetën e muslimanëve.

Ai paraqiti para të pranishëmve disa prej vendeve dhe autoriteteve të larta, që vizituan gjatë qëndrimit në Jeruzalem dhe Betlehem.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili falënderoi zv/ambasadorin e Palestinës në vendin tonë, SHTZ. Hani Husejn për gatishmërinë për të ndihmuar vizitorët shkodranë, të cilët u pritën me shumë nderime dhe respekt nga vëllezërit e tyre në Palestinë.

Njëkohësisht përhajroi grupin e vizitorëve për këtë mirësi të madhe dhe uroi që numri i shkodranëve që vizitojnë këtë vend të shenjtë të shtohet.

Me shumë interes u ndoq edhe fjala e rastit nga zv/ambasadori palestinez në vendin tonë, SHTZ. Hani Husejn, i cili përcolli mesazhet e tij të ngrohta për të pranishmit dhe vizitorët e Kudsi Sherifit në veçanti.

Ai tha se historia e Shkodrës me Kudsin e shenjtë lidhet prej shekujsh, edhe për faktin se shumë ushtarë shkodranë kanë luftuar për mbrojtjen e kësaj toke të shenjtë, gjatë shekullit të kaluar. Sikurse përmendi se emrat dhe flamuri i tyre ruhen sot në muzeun historik të Kudsi Sherifit.

Aktivitetin e përshëndeti edhe H. Fejzi Zaganjori, që bëri edhe një lutje për popullin martir palestinez, sikurse përshëndeti edhe z. Muamer Vuci, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe.

Aktiviteti u shoqërua nga përshëndetje dhe urime të përzemërta në mesin e të pranishëmve.