Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë; Krijuesit të gjithçkaje, pa pasur nevojë për asgjë; Furnizuesit të gjithësisë, pa e dëmtuar asgjë pushtetin e Tij; të Përhershmit pa fillim, të Përhershmit pa mbarim, i Cili i dha njeriut mundësinë e udhëzimit dhe përfitimit nga mëshira e Tij, për të cilën tha: “Mëshira Ime e ka tejkaluar zemërimin Tim!”
Salavatet dhe selamet më të përzemërta, të shoqëruara me dashni e mall, ia dërgojmë sot, në këtë ditë e në çdo moment të jetës sonë, Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit, Hz. Muhammedit (a.s.), i cili na u drejtua me disa këshilla të mrekullueshme, që kam dëshirë të jenë boshti i këtij komunikimi javor.
Imam Muslimi ka regjistruar transmetimin e sahabiut Ebu Hurejra (r.a.), nga i Dërguari i All-llahut (a.s.), që ka porositur:
“1- Kushdo që ia largon një besimtari një brengë nga brengat e kësaj bote, All-llahu do t’ia largojë një brengë nga brengat e ditës së kijametit!
2- Kushdo që e lehtëson dikë në vështirësi, All-llahu do ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në të përtejmen!
3- Kushdo që e mbulon të metën e një muslimani, All-llahu do ta mbulojë të metën e tij në këtë botë dhe në të përtejmen!
4- All-llahu është në ndihmë të robit, sado që ai është në ndihmë të vëllasë së tij!
5- Kushdo që ndjek një rrugë, në të cilën kërkon dije, All-llahu do ia lehtësojë atij rrugën drejt xhennetit!
6- Saherë që një popull mblidhen në një shtëpi prej shtëpive të All-llahut, duke lexuar Librin e All-llahut dhe duke e përsëritur atë në mes tyre; mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira, do t’i rrethojnë melekët dhe do t’i përmendë All-llahu tek melekët pranë Tij!
7- Këdo që e vonon puna e tij, nuk e do e shpejtojë prejardhja e tij!”.
Të dashur besimtarë,
Hadithi në fjalë është sistem jete për muslimanin! Sistem i ndërtuar mbi besimin e pastër në Njësinë e Zotit të vetëm të gjithësisë; besimit në jetën e përtejme dhe llogarinë para duarve të Krijuesit të gjithësisë; ndihmës ndaj tjetrit me të gjitha mundësitë, me zemër të gatshme e gjymtyrë që i binden thirrjes së brendshme; mbylljes së syve para të metave të kujtdo prej krijesave të Zotit, duke menduar mirë e duke mos paragjykuar veprimin e askujt, sepse llogaria e tjetrit nuk është kompetencë e njeriut; rrugëtimit të përhershëm drejt dijes dhe rrugëve të saj, për të jetuar në këtë jetë të përkohshme me dinjitetin e kërkuesit të dijes, i cili ka përherë bekimet e Zotit; angazhimit për të mbajtur të gjallë Fjalën e Zotit dhe udhëzimin e Tij, nëpërmjet leximit të vazhdueshëm të Fjalës së Tij dhe përsëritjes së saj, sepse lënia pas dore e leximit të Fjalës së Zotit, i jep mundësi abuzuesve me Librin e dhe Fjalën e Tij, për të deformuar atë mirësi të madhe të mbrojtur nga Vetë Zoti i tanësisë; si dhe mbështetja tek besimi dhe vepra personale, jo tek llagepet e kësaj bote, a prejardhja! Nuk ka vlerë a je djali i të Dërguarit të All-llahut, a nipi i tij, ka vlerë vepra e jote, morali dhe sjellja, dalja për zot e përgjegjësive që ke marrë mbi supe në jetë, mënyra se si sillesh me familjen tënde, njerzilleku në komunikim, distancimi nga arroganca dhe mendjemadhësia në jetë, le të jesh kush të jesh; nëse tentakulat e arrogancës dhe vetëkënaqësisë të kanë prekur zemrën e mendjen, të kanë prishur!
Të dashurit e mi,
Mundësitë për të ndihmuar e bërë mirë, sidomos sot, janë të shumta! Ka njerëz të mbytur në borxhe, ka varfëri ekstreme, ka brenga dhe vështirësi, që vetëm Një Zot i di! Kërkoni për ta, ndihmojini me sa të keni mundësi, duke mos e nënvleftësuar asnjëherë të mirën që bëni, sepse e mira e sinqertë tërheqë bekimet dhe mëshirën e Zotit të gjithësisë!
Haxhilerët dhe umrexhitë e viteve të fundit, besoj se i kanë në hatër dy emra në qytetin e Mekës; “Bajk” dhe “El-Fekih”. I pari është emri i një rrjeti restorantesh, që tregtojnë mish pule, në stilin e ushqimeve të shpejta. Përherë ka rrallë të madhe në këtë rrjet. Sekreti i kësaj mbarësie fshihet tek veprimi i themeluesit, i cili kishte bërë nijet, që për çdo porosi që do merrte, do nxirrte 1 rijal sadeka. Pas vdekjes së tij, të bijtë e vijuan traditën e të atit, duke e rritur atë nga 1, në 2 rijalë për çdo porosi!
Xhamia e madhe “El-Fekih” në lagjen Azizije, i shërben një komuniteti të madh njerëzish, që vijnë të falen në të vaktet ditore dhe namazin e xhumasë. Përballë saj, në njërën prej selive të familjes “El-Fekih”, që njihet edhe si një ndër bizneset më të afirmuara të tregtimit të mishit të pulës dhe produkteve të ndryshme, që nxirren prej saj, gjatë krejt sezonit të Haxhit do të gjesh një radhë të madhe njerëzish që presin çdo ditë shërbimin falas të një vakti a më tepër nga kjo familje. Është një sadeka e rrjedhshme e trashëguar nga themeluesi i këtij biznesi, poashtu!
Edhe tek ne ka plot njerëz të mirë, biznesmenë a jo, që ndihmojnë me sadekatë dhe zekatin e pasurisë së tyre dhe janë afër njerëzve në nevojë, të sëmurëve, të brengosurve, borxhlinjve, të burgosurve, nxënësve të dijes, institucioneve fetare e atyre arsimore, me ndihma e përkrahje, All-llahu i shpërbleftë dhe e shtoftë sojin e tyre!
Asgjë e mirë nuk humbet tek All-llahu i Madhëruar..! Nuk të shkon dëm vlera e sadekasë, sado e vogël qoftë ajo! Nëpërmjet saj, All-llahu i Madhëruar të shton bereqetin në jetë, të mbron nga një e keqe, të largon një shqetësim, të pastron nga gjynahet, të ruan nga një e papritur e shumë më shumë se kaq!
Subhanallah, sot, teksa po bëhesha gati për të ardhur në xhami, më telefonoi njëri prej imamëve tanë të nderuar. Në fund më tha: “Mora edhe pakot e përmuajshme të filanit (një biznesmen) për t’ia shpërndarë një liste familjesh në nevojë”, në një prej fshatrave tanë. Elhamdulilah!
T’i rikthehemi herë pas here leximit të këtij hadithi të mrekullueshëm dhe ta përvetësojmë në jetë, për të gjetur kënaqësinë dhe bekimet e tij në jetën tonë!
Imam Muhamed B. Sytari
(Hytbeja e xhumasë, mbajtur në xhaminë e Parrucës,
Shkodër, 18 janar 2019)