Nëpërmjet hytbes së xhumasë, ditën e sotme, më 25 janar 2019, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, dha mesazhe shpresëdhënëse për realitetet e sotme, nëpër të cilat kalon njerëzimi.
Duke iu referuar sures “El-Hixhr”, Myftiu tha se, përtej vështirësive dhe brengave me të cilat përballet shoqëria e jonë dhe njerëzimi, sureja “El-Hixhr” mbetet përherë një cak reflektimi dhe një thirrje drejt shpresës në jetë.
Ai tha se kjo sure iu shpall të Dërguarit të All-llahut, në një moment të vështirë të jetës së tij në Mekë, pas vdekjes së axhës së tij, Ebu Talibit, si një mbështetje e madhe për të dhe udhëzim për besimtarët deri në ditën e kijametit.
“Po të shohim me vëmendje përmbajtjen e 99 ajeteve të kësaj sureje, do të gjejmë se, besimtarëve u është dhënë një garanci e madhe nga Zoti i gjithësisë për fenë, qiellin dhe tokën, rizkun dhe mbrojtjen nga shejtani i mallkuar! Le të shohim njerëzit poshtë nesh dhe ta falënderojmë All-llahun e Madhëruar për mirësitë që na ka dhënë!” – tha ndër të tjera Myftiu në hytben e tij.
Ai tha se gjatë leximit të sures “El-Hixhr”, jemi të ftuar të kuptojmë se Kur’ani Famëlartë me krejt udhëzimet e tij, mbetet shpresë dhe balsam për shoqëritë njerëzore!