Ditën e enjte, më 14 mars 2019, pas namazit të akshamit në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër organizoi një tribunë fetare me temë: “Kuptimi dhe dobitë e Muajve të Shenjtë”.
Në fjalën hapëse, teologu Arben Halluni theksoi se ky aktivitet vjen me rastin e fillimit të Tre Muajve të Mirë, ku gjendet edhe muaji Rexheb, prej katër muajve të shenjtë të përmendur në Kur’an.
Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, tërhoqi vëmendjen e të pranishëmve se, përkujtimi i këtyre muajve duhet të na shërbejë për të kontrolluar cilësinë e marrëdhënies me Zotin dhe fenë e Tij në jetën e përditshme. Ai vuri theksin te rregullimi i veprave dhe dëshmimi i Islamit me punë konkrete, larg fjalëve të shumta, deri në frymën e fundit.
Ligjëruan teologët e nderuar Adem Pizga, imam i xhamisë së lagjes Perash dhe Naim Drijaj, imam i xhamisë së lagjes Parrucë.
Në ligjëratat e tyre, imamët e nderuar hodhën dritë mbi komentin dhe domethënien e Muajve të Shenjtë, si dhe data të shënuara në këto muaj.
U shpjegua me imtësi domethënia e secilit prej muajve në fjalë, vlera e adhurimeve dhe lutjes në to, marrëdhënia e të Dërguarit të All-llahut (a.s.), sahabëve dhe dijetarëve të shquar të ymetit me këto muaj, si dhe domosdoshmëria e shfrytëzimit të tyre për të rregulluar sjelljen dhe veprat, gjithnjë në rritje drejt përkushtimit.
Aktivitetin e ëmbëlsoi me këndimin e ilahive, teologu Vullnet Pishtari, i pranishëm në këtë mbrëmje me vlerë.