Paraditën e të shtunës, më 16 mars 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, Drejtorin për Ballkanin e “Komisionit për Evropën dhe dy Amerikat”, në Kuvajt, z. Mahmud En-Nexhdi, që shoqërohej edhe nga donatori për projektin e ri të Kompleksit Islam në lagjen Kiras, z. Khalid A. Rebia, si dhe nga ndërmjetësuesi për zhvillimin e këtij projekti me dobi, z. Samed Shehu, drejtor i Fondacionit “Mirënjohja”.
Fillimisht, Myftiu shprehu falënderimet e tij për miqtë nga Kuvajti, duke theksuar se donatorët e shumtë nga ky vend mik, kanë dëshmuar ndër kohëra bujarinë e madhe dhe shpirtin e bamirësisë, me të cilin karakterizohet populli i Kuvajtit, bamirësitë e të cilit mbeten gjurmë krenarie për ta, në çdo cep të botës.
Myftiu diskutoi edhe rreth projektit për fillimin e Kompleksit Islam në lagjen Kiras, ku theksoi se nevoja e besimtarëve dhe qytetarëve muslimanë për të është e madhe.
Myftiu falënderoi edhe angazhimin e z. Samed Shehu për koordinimin, sikurse shprehu mirënjohjen e Myftinisë Shkodër për z. Rebia, prania e të cilit i jep një kuptim të veçantë kësaj vizite.
Pas vizitës në Myftini, u zhvillua edhe një inspektim te xhamia aktuale e lagjes Kiras, ku u ra dakort për nisjen sa më parë të punimeve për Kompleksin e ri, i cili do të plotësojë edhe shumë mangësi në zhvillimin e aktivitetit fetar e kulturor në këtë lagje.