Në kuadrin e ligjëratave, që i paraprijnë Muajit Ramazan 1440, ditën e shtunë, më 16 mars 2019, Myftinia Shkodër organizoi një tribunë fetare në xhaminë e fshatit Zues.
Tema e këtij tubimi me vlerë ishte: “Mirësjellja në jetën e muslimanit”, ku ligjëroi Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, si dje teologët e nderuar, Ervil Kuçi, imam i xhamisë Dërgut dhe Besim Barbullushi, i sapodiplomuar në studimet islame nga Universiteti Islam i Bursës.
Në ligjëratat me dobi u vu theksi tek morali dhe mirësjellja në jetën e musmimanit, bazuar në shembullin e Resulull-llahut (a.s.), të cilin e lartësoi Zoti i gjithësisë mbi krejt krijesat e Tij.
Ligjëruesit tërhoqën vëmendjen se, muslimani spikat në shoqëri me veprat e tij, që përkthejnë më së miri moralin dhe misjelljen e besimit të tij, që është esenca e krejt jetës.
U vu theksi te domosdoshmëria e kuptimit se, përtej namazit që falim në xhami, ajo që na vlen në jetën e përditshme është mirësjellja me familjen dhe komshitë, me tjetrin, kushdo qoftë ai dhe përhapja e frymës së besimit me krejt detajet e tij në shoqëritë njerëzore, si dëshmi e dashamirësisë tonë ndaj tyre.
Ligjëruesit sollën shembuj të shumtë nga fjalët dhe shembulli i Resulull-llahut (a.s.), si dhe ngjarje nga jeta e përditshme, që vërtetojnë se morali islam është garanci për një jetë në paqe me Zotin, me veten dhe me tjetrin.