Ditën e mërkurë, më 20 mars 2019, pas namazit të akshamit, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë “Ebu Bekër”, në Fushë Çelë, një tribunë fetare me temë: “Namazi dhe zekati, dy adhurime të pandara në Islam”.
Aktiviteti nisi me fjalën e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se, gjithësecili prej muslimanëve e ka për detyrë ta dëshmojë moralin e fesë së tij dhe të zbatojë adhurimet e ndryshme, për të cilat është urdhëruar, duke u munduar të vishet me moralin e tyre dhe të përhapë mirësinë që përfton prej tyre.
Myftiu bëri thirrje për tregtarët dhe biznesmenët muslimanë, që të ruajnë dhe të pastrojnë pasuritë dhe bizneset e tyre, duke ndarë zekatin, që në vetvete është bekim nga Zoti për pasurinë, mbrojtje dhe siguri hyjnore për të dhe të zotin.
Aktiviteti vijoi me dy ligjëratat e dobishme nga imamët e nderuar Gilman Kazazi dhe Ruzhdi Plangaj.
Në vasët e tyre të mbushura me argumente dhe shembuj praktikë, teologët e nderuar sollën në vëmendje të besimtarëve ajkën e Kur’anit dhe haditheve të përzgjedhura, që bëjnë fjalë për madhështinë e namazit dhe zekatit, si dy adhurime të pandara, plot mirësi e begati për njeriun.
Imamët vunë theksin te domosdoshmëria e disiplinimit të njeriut në marrëdhënien e tij me namazin, por edhe me zekatin, që së bashku përbëjnë boshtin e jetës shpirtërore dhe asaj materiale, të udhëzuar sipas thirrjes së besimit.