Kaluan plot 12 vite nga ajo ditë e shumëpritur e përurimit zyrtar të xhamisë së Parrucës.
Ende kam të freskëta në kujtesë detajet e organizimit të ceremonisë, përgatitjen e ftesave, emocionet e krejt grupit të madh të angazhuar për suksesin e asaj dite të paharruar…
Ndonëse ishte mot me vranësirë, pranvera që dhuronte shfaqja e xhamisë së plotësuar, kthente grinë në të bardhë, ndërkohë, ndonjë piklinë shiu, që shfaqej hera-herës si për të përhajruar xhaminë e re, ndjehej si bekim hyjnor, në prag të momentit të shumëpritur…
Nuk e di se kush ishte më i ngarkuar me emocione e kush më pak, por kam bindjen se atë ditë, pjesa më e madhe e të pranishëmve që kishin tejmbushur sheshin e Parrucës, e ndjenin me shpirt se, kjo ditë kishte marrë dritën e ditëve të bajrameve, që të gjithë i presim me lutje e gëzim, që s’përshkruhet!
Ashtu erdhi ajo ditë e bekuar e të xhumasë, më 23 mars 2007.
…
Përfitoj nga rasti të rishfaq mirënjohjen e përsëritur të Myftinisë Shkodër, timen personale (si Myfti i Shkodrës, por edhe si qytetar i saj), për donatorin kryesor të kësaj xhamie, z. Seit Fishta dhe bashkëpunëtorët e tij! Kjo mirësi e bërë, u kthye në shembull të bekuar të një fryme të re dhe dëshmie të madhe se, muslimanët e Shkodrës, nuk e humbën shpirtin e fesë dhe besën e All-llahut..!
Shpreh mirënjohje për imamët e nderuar: Alban Kali, Naim Drijaj dhe Durim Kasemi, si dhe për muezinët e palodhur: H. Daut Shabaj (rahmet pastë), për të palodhurin H. Besnik Saraçi, për të kudogjendurin në shërbim të kësaj xhamie dhe kontributeve të vazhdueshme në dobi të saj, H. Besnik Elbasani dhe krejt bamirësit e kontribuesit në vazhdimësi për të mirën e kësaj xhamie dhe simbolikës së saj për bashkësinë tonë dhe mbarë qytetin!
Shpreh mirënjohjen time për të gjithë imamët e nderuar të Shkodrës, që në momente të caktuara dhe sipas programeve të larmishme të organizuara nga institucioni i Myftinisë, dhanë kontributin e tyre të çmuar, duke rrezatuar dije dhe kulturë besimi nga minberi dhe kursija e kësaj xhamie.
Poashtu falënderoj të gjithë kolegët e mi të nderuar, myftilerët e qyteteve të tjera, si dhe personalitetet e shquara të Thirrjes Islame në rang kombëtar, rajonal dhe botëror, që ligjëruan nga kjo xhami me ftesën tonë. All-llahu i shpërbleftë!
23 mars 2007, ishte dhe mbeti një ditë bajrami për Shkodrën dhe besimtarët e saj!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 23 mars 2019