Myftiu Sytari në mesin e vëllezërve në Ingolstadt

Myftiu Sytari në mesin e vëllezërve në Ingolstadt

Me ftesë të Bashkësisë Islame “ASR” e.V. Ingolstadt, kryetarit të saj, H. Mirsad Dervishi dhe imamit të nderuar, Hfz. Xhelal Kaloshi, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi rreth kuptimeve dhe mesazheve të Natës së Israsë dhe të Miraxhit, në aktivitetin që u zhvillua në Ingolstadt të Gjermanisë, ditën e diel, më 26 janar 2025.

Në ligjëratën e tij, Myftiu i Shkodrës, u ndal tek mesazhet madhore të përkujtimit të mrekullive të Israsë dhe të Miraxhit.

Ai theksoi se me obligimin e pesë vakteve ditore të namazit, Israja dhe Miraxhi u bënë hartë jete dhe sistem organizimi për jetën e muslimanit.

Ai tha se, pozita e lartë, me të cilën Zoti i gjithësisë bekoi Hz. Muhammedin (a.s), është thirrje e përditshme për çdo musliman për të qenë dikushi në jetë.

Gjithashtu, vuri theksin tek domosdoshmëria e ruajtjes së harmonisë dhe vëllazërisë në mesin e muslimanëve, si dhe përhapjen e mesazheve universale të Islamit, me këdo prej krijesave të Allahut, duke marrë mësim nga takimi i Hz. Muhammedit (a.s) me krejt pejgamberët dhe falja e tij imam para tyre.

Myftiu Sytari falënderoi mikpritjen dhe ftesën bujare të kryetarit Dervishi, sikurse shprehu kënaqësinë e takimit me imamin e nderuar dhe bilbilin e leximit të Kur’anit, me famë botërore, Hafiz Xhelal Ef. Kaloshi.