Ditën e shtunë, më 27 prill 2019, në ambientet e kompleksit “Zmijani”, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin e madh të konkursit të 9-të vjetor midis kurseve fetare, të cilat organizohen në xhamitë e Shkodrës.
Aktiviteti mblodhi mbi 700 nxënës nga 40 xhami të Shkodrës dhe filloi me fjalën e hapjes nga drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni, i cili pasi uroj mirëseardhjen nxënësve frekuentues në mejtepet e xhamive, foli për rëndësinë që ka kjo ditë, e cila frymëzon për besim, adhurim, edukatë, kulturë, respekt, atdhedashuri, traditë, vëllazëri dhe harmoni me të gjithë.
Aktiviteti i konkursit të madh fetar u shoqërua me veprimtari sportive, zbavitëse si dhe lojëra animatore në ambientet e kompleksit.
Në fund u zhvillua ceremonia e shpalljes së fituesve, ku juria e përbërë nga Naim Drijaj, Adem Pizga dhe Ervil Kuçi vendosën në bazë të pikëve maksimale për çmimin e parë: Eda Hoxha, xhamia Shirq, çmimi i dytë: Anila Alija, xhamia Rragam, dhe çmimi i tretë: Muhamed Repaj, xhamia Fshati i Ri.
Ndërsa çmimi për zërin e bukur në leximin e Kur’anit u shpall nxënësi Sulejman Milani, xhamia Milan.
Më pas, sektori i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër dha edhe 4 çmime (Fletë Lavdërimi) për nxënësit që kanë spikatur gjatë konkursit fetar dhe gjithashtu të dalluar në procesin mësimor të kursit fetar: Reis Hasmegaj, xhamia Ganjollë, Jusra Repaj, xhamia Boks, Anisa Halaj, xhamia Dragoç dhe Said Braqi, xhamia Domen.