Paraditën e së mërkurës, më 24 prill 2019, Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” në bashkëpunim me Medresenë “Kartall Anadolli”, të Stambollit, organizoi panairin “Udhëtarët e shkencës – Ballkan -3-“.
Aktiviteti në fjalë që organizohet për të tretën herë radhazi në Ballkan dhe për herë të parë në Shkodër, erdhi edhe si rezultat i mbështetjes së Bashkësisë së Diasporës Turke YTB dhe Shoqatës “Istanbul”.
23 stendat e këtij panairi, ku u përfshinë mëse 100 eksperimente në fushën e biologjisë, kimisë, matematikës, informatikës, fizikës, arkitekturës, filmit, robotikës etj. sollën një atmosferë sa shkencore aq edhe bashkëkohore duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë, veçanërisht të të rinjve.
Në këtë aktivitet u përfshinë 50 nxënës ekselentë të medresesë së Shkodrës dhe 50 nxënës të medresesë së Kartallit (djem dhe vajza) të drejtuar nga mësuesit e lëndëve shkencore.
Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë, për të parë nga afër panairin e zhvilluar nga medresistet e Shkodrës.
I shoqëruar edhe nga kryetari i shoqatës “Istanbul”, z. Ridvan Seferaj dhe pjestarë të Këshillit të Myftinisë Shkodër, Myftiu vizitoi disa prej stendave, ku këmbeu biseda dhe këshilla të dobishme me nxënëset përgjegjëse.
Njëkohësisht, falënderoi drejtorinë e Medresesë dhe shoqatën “Istanbul” për këtë aktivitet cilësor, që vjen si një fllad begatues në atmosferën e begatë të pritjes së Muajit Ramazan.