Të nderuar Prijës të muslimanëve,
E falënderojmë All-llahun e Madhëruar që na dha mundësi të jemi në shërbim të Fjalës dhe fesë së Tij, në gjurmët e Më të Mirit të Krijesave të Tij, Hz. Muhammedit (a.s.) dhe dijetarëve të këtij ymeti, nga ajo kohë, deri në kiamet.
Atij i takon falënderimi i plotë, për shpalljen hyjnore: “Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” – (Kur’ani, Ali Imran: 104)
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë Zotërisë së bijvë të Ademit, Resulull-llahut tonë (a.s.), i cili na dëshmoi se është dërguar Mësues dhe Mëshirë e dhuruar!
Në prag të Muajit Ramazan 1440, ju drejtohem më këtë mesazh udhëzues, duke u lutur që gjithësecili prej nesh të ketë mbarësi dhe sukses në misionin fisnik të shërbimit dhe udhëzimit të shoqërisë drejt asaj që është më e mira në këtë Muaj e deri sa Krijuesi të marrë amanetin e Tij në jetën e përtejme!
Të dashur vëllezër të shtrenjtë,
Muaji Ramazan vjen për të na afruar përherë e më shumë me All-llahun e Madhëruar, Zotin e vetëm të gjithësisë, me Kur’anin Famëlartë, me Traditat e Hz. Muhammedit (a.s.) dhe me vlerat më të larta të kësaj feje të pastër islame.
Prandaj, këshilloj veten dhe gjithësecilin prej jush, që ta kemi frikë All-llahun në këto ditë, të punojmë fort për lartësimin e Mesazhit dhe përhapjen e tij, si dhe të bëhemi nxitës dhe promovues të harmonisë dhe bashkimit, vëllazërisë dhe bashkëpunimit në mesin e muslimanëve dhe shoqërisë tonë.
Vëllezërit e mi imamë dhe thirrës islamë,
Ky Muaj vjen si mundësi e madhe për t’i afruar edhe më shumë muslimanët me xhaminë, me mexhliset e dijes, me tubimet e dhikrit, me mbledhjet e leximit të Kur’anit, me nxitjen e bamirësisë, me lidhjen e familjes rreth sofrave të begata të besimit, me rregullimin e marrëdhënieve farefisnore dhe përhapjen e paqes së zemrës me këdo e kudo, duke u dëshmuar si faktorë të sigurisë, harmonisë e paqes sociale!
Kemi nevojë sot, të largojmë vëmendjen e njerëzve nga detajet e përçarjes dhe divergjencës, duke mos lejuar hapjen e debateve, që dikush i mbolli në këtë ymet, për të ngelur përherë në dyshim e për të vuajtur bashkësia e muslimanëve largimin e zemrave nga njëra-tjetra!
Mos të merremi me detaje, për të cilat nuk jemi ngarkuar dhe falë Zotit, njerëzit e kanë ruajtur udhëzimin drejt All-llahut nëpërmjet tyre për shekuj! Mos të angazhojmë njerëzit me detaje që jua ngushtojnë fenë, ia ndërlikojnë atë, i lënë në mëdyshje!
Kemi nevojë që ato tradita të bukura të Muajit Ramazan, t’i shfrytëzojmë për të thelluar përherë e më shumë besimtarët në kuptimet dhe shpirtin e fesë, larg fanatizmave të verbra, larg bidateve të reja, larg abuzimit me lexime egoiste të teksteve dhe nxitje të ndasive në mesin e familjes tonë të madhe islame!
Të dashur mbrojtës të amaneteve të Resulull-llahut (a.s.),
Do të pyetemi një ditë për këto mundësi që na janë dhënë dhe shfrytëzimin e tyre, për kohën, për dijen, për xhematet, për hapësirat e zhvillimit të Thirrjes Islame, për fjalën e thënë, për qendrimet dhe për çdo detaj që lidhet me mirëfunksionimin e krejt shërbimeve tona në hak të Fesë së All-llahut!
Prandaj, të punojmë bashkarisht, dorë për dore, të ndreqim atë që është prishur në këto 29 vite, të korrigjojmë rrëshqitjet e kësaj kohe, të mbledhim familjen dhe të shfaqim gëzimin dhe madhështinë e këtij Muaji, nëpërmjet ruajtjes së harmonisë, identitetit dhe veçorive të mrekullueshme të besimit tonë!
Të punojmë pa asnjë hezitim, duke kaluar kufijtë e lodhjes, rutinën dhe krejt pengesat në rrugën tonë, për të mbjellur mirësi e bashkim, për të ruajtur ekuilibrat, për të edukuar brezin e ri me këtë Islam të bekuar, me të cilin All-llahu i nxori katragjyshërit tanë dhe brezat e shekujve të largët, deri në ditët tona, nga errësira në dritë!
Të bëhemi shkak që ky Islam të lulëzojë e të gjallërojë përherë e më shumë në tokën tonë, që e kemi të shtrenjtë, si dritën e syve, që punojmë për të ditë-natë, që e duam dhe lutemi për të, që duam bashkëqytetarët tanë dhe lutemi e punojmë për paqen sociale për harmoninë komunitare dhe lartësimin e vlerave tona më të mira kombëtare, që përkunden në djepin e besimit dhe fesë.
T’i afrojmë njerëzit me Zotin e tyre, nëpërmjet agjërimit dhe mos ta bëjmë agjërimin pengesë e rrugë të mbyllur drejt All-llahut të Madhëruar, me fjalë të pamatura, me fetva të pakontrolluara e me mungesë urtësie në komunikim me njerëzit!
Traditat tona islame të bazuara në Kur’an, në Traditat e Pejgamberit (a.s.) dhe në urtësinë e Prijësve tanë, janë të mjaftueshme që të mos kërkojmë prishjen e tyre, duke nxitur anarshi e pasiguri në mesin e besimtarëve!
Të mjaftohemi me atë që është trashëguar, ta zhvillojmë e ta ruajmë si dritën e syrit dhe t’i lutemi Zotit të gjithësisë që të na bëjë çelësa të së mirës, drynj të së keqes, fitnes dhe përçarjes!
All-llahu ju dhashtë mbarësi dhe e bëgatoftë kohën tuaj, mundin dhe sakrificën për hatrin e Tij, e shumëfishoftë shpërblimin tuaj dhe ju dhashtë atë që ju gëzon në këtë jetë dhe në të përtejmen!
Vel-hamdu lil-lahi Rabil-alemín!
Myftiu i Juaj
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 2 maj 2019