“Unë jam agjërueshëm! Unë jam agjërueshëm!”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…”.[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë në këtë ditë dhe në çdo moment të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s.), i cili i jepte sihariq sahabëve të tij me rastin e ardhjes së Ramazanit, teksa i drejtohej me këto fjalë: “Ju erdhi Muaji Ramazan, një Muaj i begatë! All-llahu jua ka obliguar agjërimin e tij! Në të hapen dyert e xhennetit, në të mbyllen dyert e skëterrës, në të prangosen shejtanët! Në të gjendet një natë, më e mirë se një mijë muaj! Ai që është privuar nga e mira e këtij Muaji, është privuar!”.[2]

Të dashur besimtarë,

Resulull-llahu (a.s.) na ka edukuar se: “Agjërimi është mburojë, prandaj mos të abuzojë njeri, as mos të bjerë në injorancë! Edhe nëse dikush e sulmon a e shan, le t’i thojë: Unë jam agjërueshëm (dy herë)! Pasha Atë, që e ka shpirtin tim në dorën e tij, shija e gojës së agjëruesit, është më e mirë tek All-llahu se aroma e miskut! (Ai thotë) E lë ushqimin e tij, pijen e tij, epshin e tij, për hatrin Tim! Agjërimi është i Imi, Unë e jap shpërblimin për të, ndërsa e mira shpërblehet me dhjetëfishin e saj!”.[3]

Poashtu na ka mësuar se: “Ai që e agjëron Ramazanin me besim dhe bindje, do t’i falen gjynahet e tij të shkuara!”.[4] Që do të thotë se të gjithë jemi të ftuar të hyjmë në një atmosferë të lartë besimi dhe shpërblimesh, që nuk ka të ngjashme gjatë gjithë vitit!

Prandaj, të bëhemi gati e të angazhohemi maksimalisht, që ky Muaj të na kalojë në adhurime e bamirësi, në namaze e lutje, në lexim të Kur’anit e në veshje me moralet e tij, në mënyrë, që kjo natyrë besimi dhe adhurimi të vazhdojë ndër ne derisa të jemi në këtë botë!

Poashtu na mëson se: “Ai që e kalon natën e Ramazanit me adhurim, me besim dhe bindje, do t’i falen gjynahet e tij të shkuara!”.[5]

Pra, na janë dhënë dy mundësi të mëdha për faljen e gjynaheve; agjërimi ditën dhe namazi i teravisë natën! Prandaj, të bëhemi gati, të pastrojmë zemrat me istigfar, të rregullojmë besëlidhjen me All-llahun e Madhëruar, të lahemi e të pastrohemi, të rregullojmë shtëpitë e të përgëzojmë fëmijët, të përhapim kudo lajmin e mirë të mbërritjes së Muajit të Madh të mëshirës dhe të faljes!

Ky është Muaj i ndreqjes së realiteteve, i përmirësimit të gjendjes, i kapërcimit të vështirësive dhe i pastrimit të zemrave, deri në atë gradë, saqë Resulull-llahu (a.s.) na ka dhënë sihariqin e madh se: “All-llahu liron nga ndëshkimi i tij, për çdo natë, në momentin e iftarit!”[6], sikurse thotë: “All-llahu i Madhëruar liron nga ndëshkimi i Tij, çdo ditë e çdo natë (të Ramazanit) dhe çdo musliman, çdo ditë e çdo natë (të Ramazanit) e ka një lutje të pranuar!”.[7]

Të dashur besimtarë,

Duhet të dijmë se agjërimi i Ramazanit është shkak për faljen e gjynaheve, që nga Ramazani i shkuar, nëse distancohemi nga gjynahet e mëdha! Resulull-llahu (a.s.) na jep sihariq duke thënë: “Namazi në namaz, e xhumaja në të xhuma dhe Ramazani në Ramazan, janë shkak për faljen e gjynaheve, nëse distancohet nga gjynahet e mëdha!”.[8]

Poashtu, namazi i natës së këtij Muaj ka një vlerë të madhe, të paimagjinueshme për ne, deri në atë gradë, sa Resulull-llahu (a.s.) na dëshmon se: “Ai që falet natën me imamin, derisa ai të largohet, do t’i shkruhet shpërblimi i krejt asaj nate!”.[9] Prandaj, ejani së bashku ta gjallërojmë xhaminë në namazin e teravisë dhe të mos lëmë asnjë rekat prej rekateve të saj pa e falur, si dhe të largohemi bashkë me imamin e xhamisë, të gjithë së bashku, që ta fitojmë këtë shpërblim të madh e të pallogaritur! Sepse, sikurse na kanë mësuar komentuesit e hadithit, ndër ta edhe Imam Neveviu, qëllimi i namazit të natës në Ramazan është namazi i teravisë.

Poashtu Umreja në Ramazan, ka një shpërblim të jashtëzakonshëm dhe vlen sa një haxh! Resulull-llahu (a.s.) i tha një gruaje ensarite: “Çfarë të ndaloi të bëje Haxhin me ne?” … Pas përgjigjes së saj, i tha: “Kur të vijë Ramazani bëje Umren, sepse një Umre në të vlen sa një Haxh!”.[10]

Dhe sot, falë All-llahut, janë mundësuar shumë rrugë drejt realizimit të kësaj porosie të madhe, me kushte të favorshme e me lehtësime, si asnjëherë më parë, prandaj, kushdo që e ka mundësinë, mos ta neglizhojë këtë ftesë, të shkojë në vendet e shenjta, të agjërojë e të bëjë tavaf, të lutet e të japë iftar, duke shijuar bekimet e All-llahut dhe mirësitë e Tij!

Poashtu në Ramazan është shumë e pëlqyer të lexohet Kur’ani e të qarkullojnë hallkat e tij nëpër xhami e shtëpi, sepse sikurse është transmetuar në hadithet e sakta: “Xhibrili e takonte Resulull-llahun (a.s.) në çdo natë Ramazani, duke e përsëritur Kur’anin”.[11] Nga këtu, dijetarët tanë na kanë nxitur që të mos ndahemi nga Kur’ani gjatë Ramazanit. Edhe ne në Shkodër e kemi traditë shekullore tubimin për Hatmen e Kur’anit, që do të nisë edhe sivjet me mbarësinë e All-llahut, në xhaminë e Parrucës, çdo ditë pas namazit të iqindisë. Ju ftoj me zemër të bëhemi pjesë masivisht në këtë tubim të begatë e të mbushur me mirësi e paqe!

Vëllezër e motra,

Elhamdulilah na erdhi kjo ditë dhe këto mundësi për të agjëruar e për t’u falur në kushte të lira, ndërkohë që në mesin tonë e prej të shkuarve tanë, ka pasur shumë e shumë që janë sprovuar edhe me lirinë dhe persekutimin më të pakuptimtë të historisë së njerëzimit, duke iu prishur agjërimi, duke iu ndaluar, duke u kërcënuar për praktikimin e fesë, njësoj siç ndodh sot me muslimanët e disa vendeve të Azisë së largët!

Para jush do të sjell një dëshmi të një njeriu, që e kemi njohur dhe e kemi dashur, atë të Myftiut të Shkodrës, H. Faik Hoxha, i cili qe burgosur me 25 vite, prej të cilave 23 i kaloi burgjeve.

Në monografinë time mbi jetën e tij, kam sjellë edhe këto dëshmi, që ia kam marrë personalisht dhe gjenden edhe të regjistruara me zërin e tij, ku thotë: “Fillimisht, duhet të përmend se gjatë gjithë kohës në burg, jam munduar që obligimet fetare t’i kryej me rregull dhe të mos shkëputem nga adhurimi i Zotit! Kam falur namazin i ulur, kuptohet, pasi në formë normale ishte e pamundur. Disa shokë të mi e dinin këtë, por asnjëherë nuk folën. Asokohe jam bërë edhe inspirues për shumë të burgosur për të mos humbur besimin në Zotin dhe për t’iu drejtuar Atij! Disave u kam mësuar edhe salavate mbi pejgamberin (a.s), lutje të ndryshme etj.

Kujtoj një shok burgu, i cili kishte dëshirë të mësonte suren “Jasin”. Ai kishte një bllok, ku e kishte shkruar këtë sure me shkronja shqipe dhe njëkohësisht kishte shkruar edhe fjalë në anglisht, italisht etj, në mënyrë që të mos diktohej.

Kur vinin Netët e Mëdha, Ramazani, Bajrami etj, i kujtoja edhe të tjerëve për të agjëru, për të falë ndonjë namaz.

Kujtoj një rast tjetër. Ishte Ramazan. I kisha porositur familjarët të më sillnin një lugë druri. Atje kisha një bidon alumini, ku përgatisja përshesh me çaj, të cilin e konsumoja në kohën e syfyrit, i shtrirë, për të mos u diktuar! Ndërsa, kur vinte koha e iftarit, sidomos në ato vite kur koha e tij vinte pas vaktit të darkës, merrja një plasmas, bukën e ndaja kafshatë-kafshatë. Në atë kohë na nxirrnin për të parë lajmet e orës 20.00 dhe aty, nxirrja nga një kafshatë buke dhe me të bëja iftar! Ndërsa në mensë, ndërronim tasat me ndonjë prej shokëve dhe unë ngrihesha për ta larë tasin e tij bosh, duke dhënë për të kuptuar se kisha ngrënë!

Kujtoj në një prej mbledhjeve të burgut, një prej komisarëve, që shpesh na spiunonte, ngrihet për të bërë analizën e brigadës se kush punonte dhe kush jo. Aty, përpara kryetarit të këshillit të riedukimit, ai përmend se në mesin tonë kemi një rast, një të burgosur, që megjithëse punon mirë dhe sillet mirë, ai agjëron dhe është fetar. Ai, i nervozuar pyet se kush është ky person. Për fat të mirë, meqenëse ne kishim të drejtë të rruheshim vetëm një herë në javë dhe për shkak të mundimeve të burgut, i nxirë nga dielli, i pa krehur ngrihem në këmbë. Asokohe isha rreth të pesëdhjetave. Ai, duke më pandehur si shumë të moshuar, me një lloj ironie i drejtohet: “Ky është?! Këtë lëreni, se edhe një vit, dy, nuk ka për të agjëru më shumë, por ju kujdesuni për këta të rinjtë!” Më ruajti Zoti dhe ma ktheu të keqen e tij në të mirë, pasi nga ai vit, unë nuk fshihesha më për të ngrënë iftar, por haja haptas, pa shqetësuar njeri!

Prej shokëve të mi të burgut, që agjëronin gjithashtu ishte edhe Hamza Cungu, një burrë nga Ura e Shtrenjtë, që e quanin Isa, një hoxhë nga Kamica etj. Pra, ishim katër-pesë vetë që e mbanim agjërimin e Ramazanit.

Ndërsa kur vinte koha dhe mundësia për faljen e namazit, shpesh merrja ndonjë libër dhe e vendosja para syve, sikur po lexoja. Ndërsa jacinë e falja vonë. Sabahun e falja para se të bëhej zgjimi i të burgosurve. Madje, një herë, një prej rojeve (kujtoj se ishte prej Mallakastre) që më kishte parë shpesh herë të ngrihesha para të tjerëve, vjen në dhomë dhe më gjen duke larë këmbët. Ftohtë ishte. Bënte dimër. Më pyeti me habi: “Përse i lan këmbët?” Ia ktheva: “Jam me reumatizëm, këmbët më ftohen, prandaj i laj me ujë të ftohtë që të më ngrohen sadopak!”…”[12]

Të dashur të pranishëm,

Agjërimi i Ramazanit është një mundësi e madhe për të ndryshuar për mirë, për të parë ndrysh jetën, për të vështruar ndrysh argumentet e Tij përreth nesh, për t’u thelluar në atë që lexojmë nga Fjala e Tij, për ta thyer rutinën e nefsit dhe për t’i dëshmuar Zotit se, në përpjekje drejt Tij, ne mund të ndryshojmë, për t’u lartësuar në gradët e “nefsit të rehatuar” me Zotin e me bekimet e Tij!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 3 maj 2019,
në prag të fillimit të Muajit Ramazan 1440)


[1] Kur’ani, El-Bekare: 185.

[2] Transmetuar nga Imam Ahmedi, Nesaiu, nga Ebu Hurejra (r.a.).

[3] Transmetuar nga Imam Bukhariu, nga Ebu Hurejra (r.a.).

[4] Transmetuar nga Imam Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a.)

[5] Transmetuar nga Imam Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a.).

[6] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga Ebu Umame (r.a.).

[7] Transmetuar nga Bezzari, nga Ebu Umame (r.a.).

[8] Transmetuar nga Imam Muslimi.

[9] Transmetuar nga Ebu Davudi, nga Ebu Dherri (r.a.).

[10] Transmetuar nga Imam Bukhariu dhe Muslimi, nga Ibn Abbasi (r.a.).

[11] Transmetuar nga Imam Bukhariu dhe Muslimi.

[12] Muhamed Sytari, Faik Hoxha, para pasqyrës së një jete…, LOGOS-A, Shkup, 2011, f. 29-32.