Namazi i teravisë së parë, të dielën, më 5 maj 2019, ka shënuar edhe fillimin e namazit të veçantë të muajit Ramazan 1440, të shumëpritur për besimtarët.
Nga xhamia e Parrucës, e mbushur me djem të rinj, që kishin mbushur sallën e faljes, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari iu drejtua të pranishëmve me një këshillë në prag të kësaj nate të madhe dhe agjërimit që nis ditën e hënë, më 6 maj 2019.
Myftiu uroi të pranishmit për këtë mirësi të madhe dhe kërkoi prej tyre të shfrytëzojnë çdo moment për t’u dëshmuar agjërues të vërtetë, me sjellje e vepra, me adhurime e bamirësi, duke përhapur gjithandej frymën e begatë të këtij muaji vlerash.
Ai kërkoi nga besimtarët që të respektojnë agjërimin e ditës dhe namazin e teravisë, si një mundësi për të arritur kënaqësinë e All-llahut të Madhëruar.
Më pas, nën drejtimin e imamëve të nderuar të ardhur këtë vit nga Stmabolli, u krye falja e teravisë së shumëpritur, 20 rekatet e së cilës e gjallëruan xhaminë në këtë natë të parë të fillimit të Ramazanit 1440.
Edhe në xhamitë e tjera të Shkodrës, besimtarët kanë mbushur xhamitë, duke kryer adhurimet e kësaj nate dhe duke uruar njëri-tjetrin për një agjërim të mbarë e të pranuar.
Ajo që ra në sy, falë Zotit, ishte pjesëmarrja e madhe e të rinjve, numri i të cilëve, sa vjen e rritet.
Myftinia Shkodër ju juron: “Agjërim të mbarë e adhurime të pranuara!”.