Sofra e iftarit, sofër e vëllazërisë në mesin e shqiptarëve

Mbrëmjen e të martës, më 14 maj 2019, me ftesë të Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Mr. Besim Berisha, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në iftarin tradicional që shtron Bashkësia Islame e Prizrenit.

Me këtë rast, Myftiu uroi Kryetarin e K.B.I të Prizrenit për muajin e Ramazanit, sikurse ndau me të lutjet më të mira për mbarësi dhe suksese për të dy myftinitë dhe kuadrin, që shërben për përhapjen e vlerave të besimit dhe harmonisë kombëtare.

Në përshëndetjen e bërë gjatë iftarit të shtruar, Myftiu i Shkodrës u lut që All-llahu i Madhëruar ta pranojë agjërimin e këtij muaji, si dhe të shërbejnë këto takime, si ura lidhëse në mesin e muslimanëve dhe shqiptarëve, për t’u dëshmuar si besimtarë të përkushtuar në rrugën e përhapjes së vlerave në shoqëri.

Gjatë kësaj vizite, Myftiu së bashku me grupin e imamëve dhe këshilltarëve, fali edhe namazin e teravisë në xhaminë e Sinan Pashës.

Sofra e iftarit, që mbledh përfaqësues të dy myftinive, Shkodër dhe Prizren, është pjesë e marrëveshjes së binjakëzimit në mesin e dy myftinive që në tetor të vitit 2011.