Ditën e xhuma, më 24 maj 2019, në kuadër të qarkullimit në Muajin Ramazan, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ligjëroi nga minberi i xhamisë së lagjes Dërgut.
Në mesazhin e tij të kësaj jave, Myftiu u ndal tek rregullat e forcimit të vëllazërisë islame, si një ndër bazat kryesore të dëshmimit të shoqërisë islame në realitetin e jetuar.
Myftiu tha se, pastërtia e zemrës nga smira, zilia, urrejtja e të ngjashme, në hak të muslimanit, është përgjigjja më dinjitoze ndaj thirrjes së Resulull-llahut (a.s.), i cili porosiste që muslimani të jetojë në harmoni me vëllanë e tij musliman dhe të dojë për të atë që do edhe për veten.
Myftiu tha se kohëve të fundit, keqleximi i teksteve fetare, shoqëruar me egon e sëmurë dhe mendjet e ngurta, ia kanë zbehur bukurinë dhe madhështinë vërtetësisë së vëllazërisë islame në ymetin islam.
Ai tha se përmirësimi i nijetit, përsosmëria e adhurimit, angazhimi për të ruajtur vlerat e bashkësisë së muslimanëve, kujdesi për të bashkëpunuar përherë e më shumë me njëri-tjetrin në jetë, në krejt fushat e saj, respektimi i diversitetit të mendimit që nuk shpie në përçarje dhe edukimi i brezit të ri me frymën e respektit ndaj bashkësisë përkatëse, janë themele të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve që krijojnë vëllazërinë e sinqertë të muslimanëve në mes tyre!
Në hytben e kësaj jave, Myftiu u lut edhe për pranimin e adhurimeve të këtij muaji të begatë, sikurse u lut për brezin e ri dhe rininë e vendit, për edukimin e tyre, për thellimin në besim dhe lartësimin në jetë nëpërmjet dijes dhe gjurmëve kontributeve konkrete në hak të shoqërisë, atdheut dhe mbarë njerëzimit.