Ditën e hënë, më 27 maj 2019 u organizua një iftar i veçantë nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, me mbështetjen e Bashkisë Üsküdar të Stambollit, të shoqatës “Istanbul” dhe në bashkëpunim me Myftinë Shkodër.
Fillimisht, z. Ridvan Seferaj, kryetar i shoqatës “Istanbul” uroj të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për shtrimin e këtij iftari, ambasadorin e Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük, Bashkonë Üsküdar të Stambollit, Myftininë e Shkodrës dhe Bashkinë Shkodër për gatishmërinë, që tregoi për realizimin e iftarin në ambientet e pallatit të sportit.
Pastaj, përshëndeti përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, i cili përcjelli urimet dhe lutjet e përzemërta të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari dhe gjithashtu falënderoi organizatorët dhe kontribuuesit e këtij iftari. Teologu Hamja, ndër të tjera tha, se ndihmat e Turqisë për Shqipërinë kanë qenë të përhershme dhe të vazhdueshme, jo vetëm në fushën fetare, por në çdo fushë që vendi ynë ka pasur nevojë. Ai falënderoi për z. Murat Ahmet Yörük për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, si dhe për mbështetjen me imamë-hafizë, që Dijaneti i Turqisë dërgon me vite me radhë në Shkodër për muajin e begatë të Ramazanit.
Më pas përshëndeti znj. Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër, ku falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për këtë iftar të begatë, në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.
Ndërsa, z. Murat Ahmet Yörük, ambasadori i Turqisë në Tiranë, pasi përcolli urimet dhe përshëndetjet e përzemërta të presidentit të Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, ndër të tjera tha, se “është shumë mirë fakti që i përkasim një feje e cila ka si motiv të rëndësishëm bindjen se nuk është prej nesh ai që fle i ngopur ndërkohë që fqinji i tij është i uritur”.
Në përfundim të iftarin, z. Yörük shpërndau edhe disa dhurata për fëmijët, të cilët morën pjesë në sofrën e begatë të këtij iftari.