Ditën e martë, më 4 qershor 2019, që në mëngjes herët, xhamitë e Shkodrës u mbushën me besimtarë dhe besimtare të shumtë, të cilët vinin për të kryer faljen e namazit të sabahut dhe Fitër Bajramit.
Sipas programit të publikuar më parë, ceremonia kryesore e Fitër Bajramit u zhvillua në xhaminë “Ebu Bekër” dhe xhaminë e Parrucës.
Pas faljes së namazit të sahabut, filluan ligjëratat e rastit, ku ligjëruan në xhaminë “Ebu Bekër” H. Gilman Kazazi dhe teologu Arben Halluni, ndërsa hytben e mbajti H. Idmir Plaku, në xhaminë e Parrucës, H. Lavdrim Hamja dhe H. Naim Drijaj, ndërsa hytben e mbajti H. Durim Kasemi.
Hoxhallarët e nderuar në ligjëratat e tyre hodhën dritë mbi parimet islame dhe mesazhet universale të Kur’anit Famëlartë dhe Traditës Profetike, duke shpjeguar me korrektësi këto parime dhe mesazhe hyjnore.
Ata dhanë këshilla me vlerë dhe porosi të vyera për besimtarët e shumtë, të cilit ishin të pranishëm, por edhe për teleshikuesit, të cilit patën mundësi ta ndiqnin ceremoninë e kësaj feste madhështore përmes ekraneve të televizionit dhe rrjeteve sociale.