Xhamia e Madhe Emevite në Haleb (Alepo) – Një trashëgimi e çmuar e qytetërimit islam
Historiku, arkitektura dhe rëndësia fetare e një prej xhamive më të vjetra të Sirisë
Siria rihap Xhaminë e Madhe Emevite në qytetin e Halebit (Alepos), në veri të vendit, pas 13 vitesh mbylljeje, si pasojë e dëmtimeve që pësuan kupola, portikët dhe minarja historike në vitin 2013.
Në zemër të qytetit të vjetër të Halebit, në veri të Sirisë, ndodhet Xhamia e Madhe Emevite, një ndër monumentet më të rëndësishme të historisë islame dhe një dëshmi e gjallë e zhvillimit fetar, kulturor dhe arkitekturor të këtij qyteti ndër shekuj. E njohur edhe si Xhamia e Madhe e Halebit, ajo ka qenë për më shumë se trembëdhjetë shekuj qendër e adhurimit, dijes dhe jetës shoqërore të banorëve të qytetit.
Ndërtimi dhe historia e hershme
Historia e xhamisë fillon në periudhën e Kalifatit Emevit, në fillim të shekullit 8-të. Sipas burimeve historike, ndërtimi i saj nisi gjatë sundimit të kalifit El-Velid ibn Abdulmelik (705–715) dhe përfundoi gjatë sundimit të vëllait dhe pasardhësit të tij, Sulejman ibn Abdulmelik (715–717).
Ndërtimi i kësaj xhamie ishte pjesë e përpjekjeve të dinastisë Emevite për të ngritur qendra të mëdha fetare dhe për të lënë gjurmë të qëndrueshme arkitekturore në qytetet kryesore të botës islame.
Xhamia u ndërtua në qendrën historike të Halebit, në një hapësirë që kishte pasur rëndësi publike që nga periudha helenike dhe romake. Në afërsi të saj ndodheshin edhe ndërtesa të rëndësishme të periudhës bizantine.
Sipas historianëve, modeli fillestar arkitekturor i xhamisë së Halebit kishte ngjashmëri të mëdha me Xhaminë Emevite të Damaskut, një prej kryeveprave të arkitekturës së hershme islame.
Arkitektura dhe veçoritë e xhamisë
Xhamia e Madhe Emevite shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 8.000 metrash katrorë, duke qenë xhamia më e madhe dhe më e vjetër e Halebit.
Ajo përbëhet nga një oborr i madh i hapur, i rrethuar nga portikë me harqe, si dhe nga salla kryesore e faljes, e vendosur në anën jugore, në drejtim të kibles.
Oborri, me sipërfaqe rreth 3715 metra katrorë, është i shtruar me gurë me ngjyra të ndryshme, të vendosur në forma gjeometrike. Brenda kompleksit gjenden gjithashtu elemente të rëndësishme arkitekturore, si mihrabët, minberi prej druri, kupolat dhe orët diellore që dikur shërbenin për përcaktimin e kohëve të namazit.
Një vend të veçantë brenda xhamisë zë edhe dhoma e varrit që i atribuohet Profetit Zekerija (a.s), babait të Profetit Jahja (a.s), i njohur në traditën e krishterë si Gjon Pagëzori. Kjo hapësirë është zbukuruar me pllaka qeramike dhe elemente artistike të periudhës osmane.
Ndër elementet më të çmuara të xhamisë është edhe minberi historik prej druri, i punuar gjatë periudhës së sundimit memluk dhe i zbukuruar me motive të ndërlikuara gjeometrike.
Minarja historike – simbol i Halebit (Alepos)
Një nga pjesët më të njohura të Xhamisë së Madhe Emevite ishte minarja e saj monumentale, e ndërtuar gjatë periudhës selxhuke, ndërmjet viteve 1090-1096.
Minarja ka formë katrore, lartësi rreth 45 metra dhe ishte ndërtuar me gurë gëlqerorë. Ajo shquhej për zbukurimet e pasura, harqet dekorative dhe mbishkrimet në gjuhën arabe, të realizuara me kaligrafi kufike dhe nes’h.
Në bazën e minares përmendej edhe emri i arkitektit Hasan ibn Muferrixh Es-Sermani.
Për më shumë se nëntë shekuj, minarja qëndroi si një prej simboleve më të rëndësishme të qytetit të Halebit dhe një shembull i rrallë i arkitekturës islame mesjetare në Siri.
Shkatërrimet dhe rindërtimet ndër shekuj
Gjatë historisë së saj të gjatë, Xhamia e Madhe Emevite e Halebit (Alepos) është dëmtuar disa herë nga luftërat, zjarret dhe tërmetet.
Në shekullin 8-të ajo pësoi dëmtime gjatë sundimit abasid, ndërsa në shekullin 10-të u shkatërrua nga sulmet bizantine. Më vonë u restaurua nga sundimtarët hamdanidë dhe zengidë, ndër të cilët përmendet veçanërisht Nurudin Zengi, i cili ndërmori punime të rëndësishme rindërtimi dhe zgjerimi.
Dëmtime të tjera ndodhën gjatë pushtimeve mongole në shekullin 13-të. Në periudhën memluke, xhamia iu nënshtrua rindërtimeve të mëdha, të cilat përcaktuan një pjesë të rëndësishme të pamjes së saj të sotme.
Edhe gjatë periudhës osmane u kryen restaurime të shumta, duke përfshirë sallën e faljes, portikët, hyrjet dhe hapësirat e tjera të kompleksit.
Ndërmjet viteve 1999-2005 u realizua një projekt i gjerë restaurimi dhe përforcimi, veçanërisht për minaren, e cila kishte një pjerrësi prej rreth 93 centimetrash drejt verilindjes.
Megjithëse kishte përballuar tërmetin e madh të Halepit të vitit 1822, minarja historike u shemb gjatë luftimeve në qytet në vitin 2013, ndërsa pjesë të tjera të xhamisë pësuan dëmtime të rënda.
Qendër e dijes dhe e jetës fetare
Përveç funksionit si vend adhurimi, Xhamia e Madhe Emevite e Halebit ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin intelektual dhe kulturor të Halebit (Alepos).
Në portikët dhe hapësirat e saj zhvilloheshin mësime të shkencave islame, jurisprudencës fetare dhe disiplinave të tjera. Ajo ishte një qendër ku mësonin dhe jepnin mësim dijetarë të shkollave të ndryshme juridike islame.
Xhamia kishte gjithashtu një traditë të rëndësishme në studimin e astronomisë dhe përcaktimin e kohëve të namazit. Në të shërbenin dijetarë të specializuar për llogaritjen e kohës, të njohur si muvakitë.
Ajo ishte njëkohësisht vendi kryesor i ceremonive fetare dhe i tubimeve publike. Gjatë periudhës osmane, aty shpalleshin edhe vendime zyrtare të autoriteteve.
Një tjetër veçori e xhamisë ishte tradita e bukur e ezanit. Halebi njihej për kulturën e pasur të këndimit dhe përzgjedhjen e zërave të shquar për thirrjen e ezanit, ndër të cilët përmenden edhe Sabri Mudel-lel dhe Hasan Haffar.
Një trashëgimi që i mbijetoi shekujve
Xhamia e Madhe Emevite e Halebit nuk është vetëm një monument arkitekturor, por edhe një pasqyrë e historisë së qytetit dhe e qytetërimit islam. Në muret, harqet, mbishkrimet dhe hapësirat e saj janë ruajtur gjurmë të dinastive dhe periudhave të ndryshme historike, nga Emevitët deri te Osmanët.
Pavarësisht shkatërrimeve të përsëritura, kjo xhami mbetet një simbol i qëndrueshmërisë së trashëgimisë islame dhe i lidhjes së pandërprerë ndërmjet besimit, dijes, artit dhe historisë.
Rikthimi i saj në funksion është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për banorët e Halebit dhe të Sirisë, por edhe për ruajtjen e një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë historike islame.
Burimi: Rami Alafandi, studimi mbi historinë dhe arkitekturën e Xhamisë së Madhe Emevite në Halep, botuar në platformën L.I.S.A. të Fondacionit Gerda Henkel.
Në mënyrë të përmbledhur dhe me shkurtime nga: (www.lisa.gerda-henkel-stiftung.de)
Përktheu nga arabishtja
dhe përshtati në shqip:
Lavdrim Hamja








