“Mbrëmje Salavatesh” që ndriçoi Shkodrën

“Mbrëmje Salavatesh” që ndriçoi Shkodrën

“Mbrëmje Salavatesh” që ndriçoi Shkodrën

Pasditen e së shtunës, më 3 tetor 2026, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet kulturor-fetar, të titulluar “Mbrëmje Salavatesh”.

Aktiviteti, që mblodhi besimtarë të shumtë, drejtues të institucioneve, shoqatave, Medresesë, por jo vetëm, u kthye në një maratonë vlerash, ku përveç ligjëratave dhe mesazheve të urta, të pranishmit patën kënaqësinë të ndiqnin një program të pasur me ilahi, recitime e salavate, dedikuar Hz. Muhammedit (alejhis-selam).

Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kur’anore nga Hfz. Bayram Bilgin. Më pas, teologu Altin Loshi bëri hapjen e aktivitetit, ku vuri theksin te mirësia e tubimeve që kanë në qendër të vëmendjes përkujtimin e jetës dhe mesazhit të Hz. Muhammedit (alejhis-selam), i dërguar mëshirë për të gjitha botët.

Në fjalën përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vlerësoi aktivitetet e larmishme të zhvilluara nga Myftinia Shkodër në periudhën dymujore, nga 1 Rebiul-Evel – 22 Rebiul-Ahir 1448, ku theksoi se tubimet dhe mexhliset që i kushtohen jetës dhe trashëgimisë së Hz. Muhammedit (alejhis-selam) janë një pasuri e madhe për ymetin dhe një ripërtëritje e besëlidhjes që duhet të ketë muslimani me të Dërguarin e Allahut në çdo kohë.

Myftiu falënderoi praninë e hoxhës së nderuar nga Tetova, H. Besim ef. Luma, një ligjërues i njohur si dhe përkthyes në shqip i kryeveprës së Shejhul-Islamit, Kadi Ijad: “Esh-Shifa”, dhe një veprimtar i zellshëm i Thirrjes Islame në trojet shqiptare.

Po ashtu, falënderoi bashkëpunimin e frytshëm të Myftinisë Shkodër me Fondacionin “Mirësia”, ku shprehu falënderimet e tij për drejtorin e këtij fondacioni të nderuarin, z. Korab Kaja.

Në vijim të aktivitetit, nxënëset e dalluara, Erisa Et’hemi dhe Eralda Mehja recituan dy pjesë të zgjedhura nga trashëgimia e të parëve tanë, kushtuar lindjes së Hz. Muhammedit (alejhis-selam), të botuara në revistën “Zani i Naltë” në vitin 1932.

Nxënësja Erisa Et’hemi recitoi pjesën “Lindja e Hz. Muhammedit”, nga medresisti Hysni Bushati (1932), ndërsa nxënësja Eralda Mehja recitoi pjesën “Moji i Meuludit”, nga studenti Hafiz Shaqir Oruçi.

Aktiviteti vijoi me këndimin e disa ilahive nga dy bilbilat e Prizrenit, vëllezërit Deniz dhe Menduh Allajbeg, të cilët ndezën zemrat e të pranishmëve me dedikimet kushtuar Hz. Muhammedit (alejhis-selam).

Në qendër të këtij aktiviteti ishte ligjërata e mbajtur nga Hoxhë Besim Luma, i cili, pasi shprehu falënderimet e tij për Myftininë e Shkodrës dhe Myftiun e saj, shprehu njëkohësisht kënaqësinë e pranisë së tij në mesin e besimtarëve në Shkodër, të cilëve i uroi çdo të mirë dhe bekim.

Në fjalën e tij, ai u përqendrua tek vlera e salavatit si një bekim i Zotit të gjithësisë mbi të Dërguarin e Allahut dhe një mëshirë garante për këdo që e praktikon atë, duke dëshmuar lidhjen e tij si besimtar me Hz. Muhammedin (alejhis-selam) dhe Zotin e gjithësisë, i Cili ka urdhëruar në Kur’anin Famëlartë për shtimin e salavatit.

Aktiviteti vijoi me këndimin e disa ilahive të tjera dhe në fund, drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, falënderoi bashkëpunimin me Myftininë Shkodër edhe për projektin me vlera: “Të njohim Profetin Muhammed (a.s)”, ku falë tij, në këtë mbrëmje u bë e mundur shpërndarja e disa botimeve mbi jetën e Hz. Muhammedit (alejhis-selam), si dhe u shfaqën video VR 360 gradë mbi jetën e Hz. Muhammedit (alejhis-selam), historinë e qytetit të Mekës, Hixhretin etj, program që u zhvillua në dalje të këtij aktiviteti dhe që tërhoqi vëmendjen e shumë prej të pranishmëve, kryesisht të fëmijëve dhe moshës së re.