Ditën e martë, më 18 qershor 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga menaxheri i pronave në Myftininë e Shkodrës, z.Blendi Alushi, zhvilloi një takim pune në Zyrën e Vakf-Investimeve në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Në qendër të vëmendjes ishin problematikat ndër vite në vakëfet e paliruara ende në Rus, Kiras dhe Zdralej.
Drejtori i Zyrës së Vakf-Investimeve, z. Edison Hoti, dëgjoi me vëmendje për secilën dosje dhe mundësitë e zgjidhjes së secilës prej tyre, sikurse dha mendimet e tij dhe mundësitë e ndërhyrjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zgjidhjen e situatave të krijuara.
Myftiu theksoi se zaptimi i vakëfit në Rus dhe moslirimi i deritanishëm ka penguar Myftininë Shkodër për realizimin e një projekti dinjitoz për lagjen e madhe muslimane të Shkodrës.
Njëkohësisht u diskutua edhe për disa çështje me rëndësi që lidhen me mirëfunksionimin e vakëfeve dhe ndjekjen e secilës çështje me prioritet.