Paraditën e së hënës, më 17 qershor 2019, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Shoqatën “Mirënjohja”, zhvilloi ceremoninë simbolike të gurthemelit të xhamisë së re në lagjen Kiras.
Ceremonia u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se xhamia e re e Kirasit është një mundësi e re për banorët e lagjes dhe Myftininë e Shkodrës për zhvillimin e aktivitetit të saj të larmishëm në shërbim të qytetarëve.
Myftiu falënderoi kryetarin e Shoqatës “Mirënjohja”, z. Samed Shehu për kontributin dhe interesimin e vazhdueshëm për afrimin e donatorit nga Shteti i Kuvajtit.
“Kuvajti i vogël në hartë, por me kontribute të mëdha në humanizëm e bamirësi në çdo cep të botës, na ofron sot edhe këtë projekt të mrekullueshëm!”, tha Myftiu.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, që vlerësoi këtë projekt të ri si shumë me dobi për besimtarët dhe njëkohësisht shprehu falënderimet e tij për kontributet kuvajtiane në Shqipëri në shumë drejtime.
Ceremonia u përshëndet edhe nga Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi, e cila shprehu mbështetjen e saj për këtë projekt dinjitoz në shërbim të komunitetit në lagjen Kiras.
Njëkohësisht shprehu vlerësimet e saj për bashkëpunimin me Myftininë e Shkodrës gjatë këtyre viteve të drejtimit të saj të Bashkisë Shkodër.
Ceremonia vijoi me tekbiret, që i paraprinë hedhjes simbolike të gurthemelit të xhamisë së re, për të cilën ka nisur puna që para Ramazanit të sivjetshëm.