Myftiu ligjëroi në kampin veror të Qendrës Kulturore Postribë

Paraditën e së martës, më 25 qershor 2019, me ftesë të Qendrës Kulturore Postribë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mbajti një këshillë prindërore për frekuentuesit e kampit veror, që organizon Shoqata “Ardhmëria”.

Fillimisht, Myftiu falënderoi imamin e xhamisë së fshatit Dragoç, z. Shkëlqim Sykaj dhe shoqatën “Ardhmëria” për këtë organizim me dobi për fëmijët dhe rininë e zonës Postribë.

Më pas, mbajti një ligjëratë me këshilla të dobishme rreth vlerës së dijes dhe shfrytëzimit të kohës, sidomos në kohën e pushimeve verore.

Myftiu theksoi se prej mirësive më të mëdha, me të cilat është begatuar jeta e njeriut është edhe udhëzimi i tij drejt shfrytëzimit të kohës, për ta bërë atë mundësi lartësimi dhe ngritjeje në jetë.

Myftiu këshilloi të pranishmit që ta shfrytëzojnë kohën dhe të disiplinohen në marrëdhënie me të, si dhe të shfrytëzojnë stinën e pushimeve për të ndjekur kurse të gjuhëve të huaja, për lexime të ndryshme, për mësimin e sureve të shkurtra dhe rregullat e adhurimeve të ndryshme, për shtimin e vizitave farefisnore, që nxisin afrimin dhe forcimin e familjes e farefisit, etj.