Ditën e xhuma, më 5 korrik 2019, nisi cikli 10 javor i hytbeve të larmishme në xhaminë e Luarzit, Velipojë.
Për të tretin vit radhazi, Myftinia Shkodër ka hartuar një program, ku janë përfshirë një pjesë e mirë e teologëve aktivë, të cilët do të mbajnë hytben e xhumasë në xhaminë e Luarzit.
Ky projekt vjen edhe në përgjigje të interesit të pushuesve të shumtë në plazhin e Velipojës të cilët vuajnë prej kohësh mungesën e një xhamie në vendin fshatin turistik.
Përtej angazhimit të Myftinisë Shkodër për ndërtimin e një xhamie në Velipojë, e xhumaja falet rregullisht në xhaminë e fshatit Luarëz, në zonën e Velipojës. Kjo ia lehtëson pushuesve muslimanë faljen me xhemat dhe prezantimin e hytbes së javës.
Cikli i ri 10 javor, nisi me hytben e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, sikurse do të vijojë, sipas programit të lajmëruar më parë dhe të afishuar edhe në xhaminë e Luarzit.
Vlen të falënderohet përkushtimi i madh i imamit të xhamisë Luarëz, z. Hajrullah Jakupi dhe ai i këshillit të xhamisë, për përkujdesjen dhe mikpritjen e frekuentuesve të shumtë të kësaj xhamie.