Myftiu priti themeluesin e Institutit “An-Noor” për të verbërit

Paraditën e të shtunës, më 27 korrik 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt e vëllazëror, themeluesin e Medresesë “An-Noor” për të verbërit në Afrikën e Jugut, Sheikh Hassan A. K. Murchie.

Gjatë takimit, Myftiu dëgjoi nga vizitori i tij për projektin e kësaj shkolle për mësimin e Kur’anit dhe lëndëve të tjera fetare për fëmijët e verbër, nëpërmjet botimeve me sistemin braille (brejl), të përshtatshëm për këtë kategori personash.

Ai shpjegoi angazhimin e institutit të tij për të përhapur degë të tjera nëpër botë, përfshi edhe vendin tonë.

Nga ana e tij, Myftiu shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me qëllim ardhjen në ndihmë të njerëzve të sprovuar me humbjen e shikimit, për mësimin e tyre dhe dhënien e mundësisë për t’u integruar në shoqëri edhe nëpërmjet këtij projekti të vlefshëm.